Pep Guardiola: Më tepër se trofetë, dua të më duan
Trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola, është shprehur se ai kërkon vetëm që ta duan, edhe pse në fakt ka krijuar imazhin e dikujt që është gjithmonë në garë dhe në kërkim të titujve. 44-vjeçari e ka fituar dy herë Champions League si trajner i Barcelonës.
Por veç kësaj, ai ka mundur të fitojë edhe tituj të tjerë si në Spanjë me katalanasit, ashtu edhe tani në Gjermani me kampionët e Bundesligës. Megjithatë, duke folur në një leksion për lidershipin, Guardiola është shprehur se motivohet nga dashuria e atyre me të cilët punon dhe jo nga dëshira për tituj. – “Nëse doni të dini se çfarë dua në jetë dhe nga puna ime, ju them se dua që të më duan, nuk kërkoj më shumë. Kjo është ajo që dua, këtë ndjesi kam. E kam seriozisht, nuk po kërkoj tituj,” shprehet spanjolli, duke shtuar se ndonjëherë mund të jetë e vështirë t’i shprehesh emocionet ndaj lojtarëve, sidomos kur i lë në pankinë. – “Nëse ti i lë lojtarët në stol, ata ofendohen, pasi mendojnë se ti nuk i pëlqen. Nuk mendojnë që janë vendime për arsye taktike dhe jo për shkak se unë nuk i pëlqej apo nuk kam emocione kundrejt tyre,” shpjegon më tej ish-trajneri i Barcelonës.
Gjithashtu ai ka rrëfyer një histori ku përfshihej një prej lojtarëve të tij kryesorë për të dhënë shembullin se nëse ti përkujdesesh siç duhet për dikë, atëherë edhe ai do të ta shpërblejë duke bërë një paraqitje sa më të mirë. Sipas modelit të Guardiolës, futbollistët në fillim duhen trajtuar si njerëz. – “Shkova në një kafe me të dhe biseduam për jetën dhe jo për futbollin. Edhe kur ai e çonte muhabetin tek futbolli, unë e ndryshoja menjëherë temën. Në ndeshjen e rradhës, ai shënoi dy nga katër golat e skuadrës. Mendoj se u ndje i veçantë, pasi në fund të fundit ndjeu dashurinë dhe afeksionin njerëzor,” thekson Guardiola.
Trajneri i Bayern Munich e ka mbajtur fjalimin e tij të veçantë në 50-vjetorin e “Ampans”, një organizatë që merret me fëmijët me aftësi të kufizuara, për arsimimin dhe integrimin e tyre në shoqëri. Aktiviteti i bamirësisë u zhvillua mbrëmjen e së martës në Manresa të Katalonjës.
KOHA JONË SONDAZH

