Pep Guardiola: Nuk e vras dot veten, nëse nuk fitoj
Pep Guardiola në prag të gjysmëfinales së kthimit ndaj Barcelonës në Champions, ku Bayernit të tij do t’i nevojitet një mrekulli për të përmbysur disavantazhin 3-0 të ndeshjes së parë për t’u kualifikuar në finalen e madhe të Berlinit, foli me tone të ashpra para medieve. – “Unë nuk kam ardhur këtu për të qenë trajneri më i mirë në Botë. Jam këtu për të bërë të lumtur njerëzit dhe për të ndihmuar Bayern si klub dhe futbollistët e tij, ashtu siç bëra me Barcelonën. Gjithmonë jap gjithçka që mundem edhe pse nuk e di nëse diçka e tillë është e mjaftueshme për tifozët. Nëse për klubin, presidentin, legjendat e skuadrës apo edhe fansat kjo nuk është e mjaftueshme, më vjen me të vërtetë shumë keq. Unë nuk do të ndryshoj stilin e jetesës nëse fitoj apo jo. Edhe pse kam fituar gjithçka në karrierë për mua momenti kur Bayernin më kontaktoi ishte si një ëndërr. Për një gjë të jeni të sigurtë nuk do të vras veten nëse nuk fitojmë. Në futboll nuk mund të fitohet gjithmonë, unë personalisht jam i lumtur me punën që kam bërë këtu te Bayerni”.
Në Mynih janë të shumtë ata që ëndërrojnë përmbysjen e madhe por sa shanse ka që të ndodhë një gjë e tillë sipas Guardiolës. – “Ne nuk mund ta fitojmë këtë ndeshje vetëm sepse unë jam Pep apo ne jemi Bayern. Duhet të luajmë me zemër por edhe me mendje për të synuar kualifikimin. Ne nga ana jonë do të japim gjithçka në fushën e blertë më pas të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Ata kanë një avantazh të madh por nuk duhet të harrojmë faktin që në “Camp Nou” shënuan 3 gola në 13 minutat e fundit. Në një sfidë të tillë gjithçka mund të ndodhë. E vetmja gjë që u kërkoj lojtarëve të mi është të tregohen të duruar”. Në ditët e fundit e ardhmja e trajnerit spanjoll është lidhur shumë me një transferim të mundshëm te Manchester City. I pyetur për këtë çështje Guardiola u qëndroi edhe njëherë tjetër besnik fjalëve të tij.
” Dëgjoni njerëz. E kam thënë edhe miliona herë të tjera, kam edhe një vit tjetër kontratë me Bayern dhe do të qëndroj këtu edhe sezonin e ardhshëm. Kjo është e gjitha. Te jesh trajneri më i mirë në botë është e ndyrë, sepse duhet te fitosh gjithmonë dhe nëse nuk e bën do të sulmojnë!.” – theksoi ai
KOHA JONË SONDAZH

