Pogba: Mendoj për Juven, jo për 200 mln eurot e Barcelonës
Paul Pogba është konsideruar lojtari kryesor i synimeve të ardhshme të Barcelonës, që ka bërë gati një shifër rekord prej 200 milion euro, çmim që nuk është njohur ndonjëherë në tregun e transferimeve. Agjenti i mesfushorit francez, Mino Raiola, mësohet se i ka thënë klubit të interesuar spanjoll, Barcelonës, gjatë bisedimeve të fundit se iu duhet të paguajë këtë shifër në merkaton e ardhshme, e kombinuar edhe me pagën e lojtarit, për të fituar shërbimet e 21-vjeçarit, në Janar 2016. Klubet e Real Madrid e Chelsea janë gjithashtu të interesuara për shërbimet e tij. Ish-lojtari i Manchester United thotë se mendon vetëm për ecurinë dhe sukseset e Juves, që udhëheq aktualisht Seria A, me 11 pikë diferencë karshi Romës së vendit të dytë, kjo falë golit të tij në ndeshjen e fundit me Sasuolo. -“Mendoj se duhet të fokusohem më tepër në fushë, sepse këto gjëra mund të turbullojnë kokën,” – theksoi ai për “Corriere dello Sport.” – “Jam i përqendruar vetëm tek performanca ime, siç e kam thënë gjithnjë. Nëse doni të dini mbi të rejat e transferimit duhet të pyesni Mino Raiola.” Më tej Pogba, skuadra e të cilit kryeson bindshëm Seria A, shton: – “Jam po ashtu i fokusuar nga titulli kampion dhe nuk mendoj për asgjë tjetër. Nëse ke ndërmend të bëhesh lojtar i madh duhet të punosh shumë, dhe të stërvitesh gjithnjë e më shumë. Përpiqem të luaj sa më mirë në çdo ndeshje dhe kam besimin e trajnerit e të shokëve të mi të skuadrës. Por dua të rritem dhe të bëhem gjithnjë e më i mirë,” – shton Pogba. Juventus mund të përforcojë pozitat në Seria A, për të mos e vënë më në diskutim titullin e katëqrt radhazi kampion, me një fitore të mundshme ndaj Palermos të shtunën, si dhe kualifikimin që pretendon të arrijë në çerekfinale të Champions League, falë triumfit 2-1 me Borusia Dortmund në ndeshjen e parë.
A. M/ Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

