Prag-derbi me Tiranën, Partizani fiton 5-0 me Kevitan në miqësore
Përgatitjet e Partizanit për ndeshjen derbi me Tiranën, u konkretizuan me një miqësore që u fitua nga të kuqtë, 5-0. Ndeshja miqësore u zhvillua në kompleksin sportiv në Pezë Helmës me ekipin që kryeson bindshëm një ndër grupet e Kategorisë së Tretë, Kevitan, dhe në këtë sfidë trajneri Shpëtim Duro i aktivizoi të gjithë lojtarët duke u dhënë ngarkesën e duhur fizike. Pjesa e parë e këtij takimi miqësor u mbyll me rezultatin 2-0, falë golave të lojtari të ri Vatnikaj, i cili u aktivizua në vijën e parë të sulmit. Në fraksionin e dytë shënuan gjithashtu Gjukanovic, Nexhipi dhe Bylykbashi. Skuadra e Kevitan, pavarësisht se tregoi një nivel të kënaqshëm loje, nuk arriti të shënonte qoftë edhe një gol nderi. Në formacionin e trajnerit Shpëtim Duro ranë në sy dy mungesa të rëndësishme në portë dhe në sulm. Portieri Alban Hoxha nuk u aktivizua për shkak të një tërheqjes muskulare, që hedh hije dyshimi mbi aktivizimin e tij titullar në derbi, ndërsa sulmuesi Stefan Raçiç nuk ishte i pranishëm në Pezë Helmës pasi iu nënshtrua disa analizave mjekësore pas problemeve serioze që shfaqi gjatë seancës stërvitore të së mërkurës. Sipas stafit mjekësor të klubit, Raçiç do të jetë i gatshëm për derbin.
KOHA JONË SONDAZH

