Prapaskena/ Modric kishte rinovuar para se të fitonte “Topin e Artë”
Gjatë merkato së verës është përfolur shumë për një interesim të Interit për Luka Modric, por mesfushori kroat vijoi të qëndronte te skuadra merengues. Në Spanjë është zbuluar një prapaskenë e Realit në lidhje me historinë e Luka Modricit. Presidenti Florentino Perez ishte vënë në lëvizje gjatë merkatos së verës për rinovimin në mënyrë automatike të kontratës së mesfushorit. Modric e kishte firmosur kontratën e re para se të fitonte “Topin e Artë”.
Lajmi bëhet i ditur nga “Mundo Deportivo”, që shkruan se presidenti i “Los Blancos” nuk mund të linte të largohej një nga kolonat më të forta të skuadrës. Pas verës, ai aplikoi opsionin e rinovimit automatik, që e bën të vlefshme kontratën edhe për një vit tjetër. Konkretisht, kontrata e kroatit me realin nuk skadon në vitin 2020, por në vitin 2021. Modric më pas e firmosi kontratën para se të fitonte “Topin e Artë”, pra disa muaj më parë.
Sipas mediave iberike, Perez veproi në këtë mënyrë për të evituar kërkesat e lojtarëve të tjerë të skuadrës për kushte më të mira ekonomike, duke përdorur interesin i supozuar të Interit. Lojtarë si Benzema dhe Kroos, apo ndonjë tjetër, nëse do ta kishin marrë vesh lajmin, me siguri do të kishin trokitur në derën e Perezit për ta zgjatur edhe ata kontratën.
KOHA JONË SONDAZH

