Protesta e opozitës, derbi Tirana-Partizani shtyhet për të premten
Derbi i madh i kryeqytetit Tirana – Partizani shtyhet sërish. Ndeshja do të zhvillohet 24 orë më vonë nga dita, kur qe planifikuar për herë të fundit. Sfida e shumëpritur e Kategorisë Superiore, e programuar për t’u luajtur këtë të enjte, ora 19:00, o të zhvillohet një ditë më pas, më 13 mars, po në të njëjtën orë. Policia e kryeqytetit nuk mori përsipër të garantojë sigurinë në derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Kjo për faktin se në këtë sfidë priten minimalisht 12 deri në 13 mijë spektatorë, as dhe një forcë sigurie private nuk mund të përballojë këtë fluks, duke rrëzuar këtë si hipotezën pavarësisht se klubi i Tiranës ishte i gatshëm për të paguar dhe mbi këtë zgjidhje. Mos-garantimi i sigurisë nga ana e Policisë së kryeqytetit vjen për shkak se të enjten pritet dhe një miting i opozitës, që e bën të pamundur për forcat e rendit menaxhimin e situatës. Derbi është hera e tretë që shtyhet brenda pak javësh. Kjo ndeshje ishte programuar për në fundin e muajit shkurt por për shkak se tapeti i ri i stadiumit “Qemal Stafa” nuk ishte ende gati për të pritur këtë sfidë dhe rrezikohej dëmtimi i lojtarëve, u shty për më 12 mars. Nëse nuk do të ketë ndonjë shtyrje tjetër, kjo ndeshje përfundimisht do të luhet më 13 mars.
Partizani
Kapiteni i Partizanit Alban Hoxha i fton të gjithë tifozët e Partizanit të jenë në mbështetje të skuadrës së zemrës në derbin e radhës me Tiranën, pasi kjo situatë e vështirë që po kalojnë 15 herë kampionët e Shqipërisë mund të lihet pas vetën nëse të gjithë komponentët në kampin e kuq qëndrojnë të bashkuar. –“Kur vjen pas një humbjeje gjithnjë është e vështirë, sepse ndikon edhe në moralin e skuadrës. Në këtë derbi kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve sepse vetëm të bashkuar e kalojmë këtë situatë,” – shprehet Hoxha. Portieri i Partizanit e pranon se në dy muajt e fundit nuk ka kaluar një formë të mirë për arsye dëmtimi, por edhe faza mbrojtëse nuk ka funksionuar si në pjesën e parë të sezonit. -“Kam kaluar një periudhë të vështirë edhe në aspektin personal. Për shkak të një dëmtimi muskulor kam sakrifikuar shumë gjatë dy muajve të fundit por edhe mbrojtja, apo e gjithë skuadra nuk ka qenë mirë psikologjikisht,” – theksoi portieri Alban Hoxha. Portieri i Partizanit është ende në garë për titullin kampion, ndërsa mbetjen jashtë Kupave të Europës e konsideron dështim të plotë. – “Ne besojmë se mund ta rikuperojmë diferencën me kryesuesit. Nëse i marrim ndeshjet një e nga një, asgjë nuk është e pamundur. Nëse nuk arrijmë të luajmë në Europë sezonin e ardhshëm atëherë do të ishte një dështim total,” – theksoi portieri Hoxha. Për derbin kryeqytetas, ndaj Tiranës trajneri Shpëtim Duro nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Amir Rrahmani, për arsye pezullimi, por në stërvitje i janë bashkuar skuadrës në stërvitje dy lojtarë të tjerë, Dorian Bylykbashi dhe Astrit Fazlliu.
Tirana
Pas javës së 26-të Skënderbeu kryeson me 54 pikë, i ndjekur nga Kukësi me 52 pikë. Në vend të tretë ndodhet Tirana me 50 pikë dhe Partizani ka 47 pikë. Ndeshja derbi konsiderohet shansi i fundit i Partizanit për të marrë kryesimin. Në rast se Tirana triumfon në derbi, ngjitet në vend të dytë para Kukësit dhe një pikë pas Skënderbeut. Në fundjavë, Skënderbeu pret Vllazninë në Korçë dhe Kukësi pret Flamurtarin në fushën e tij. Bardheblutë, si pritës të ndeshjes derbi, janë përgatitur për të fituar derbin si shans të artë për të këjnaqur tifozët dhe për të marshuar drejt titullit kampion, që u mungon nga viti 2009. Trajneri Gugash Magani, para ndeshjes derbi, u shpreh se rëndësia e ndeshjes derbi pas fitores me Kukësin ka ngjallur edhe me tepër interes në radhët e tifozëve, që presin një fitore.
De Biasi, derbin Tirana-Partizani kërkon ta ndjekë në stadium
Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi do të jetë i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” për të ndjekur derbin e kryeqytetit, ndonëse kjo ndeshje ishte në pritje që të merrte garanci për stadiumin kombëtar ku do të luhet dhe që akoma nuk ka hapur dyert si dhe të policisë, që nuk ka garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes, pasi në të njëjtë ditë, më 12 mars, do të zhvillohet edhe një protestë e opozitës. Trajneri i kuqezinjve gjithsesi ka lajmëruar se do të jetë i pranishëm në tribunën “VIP” të stadiumit kombëtar, për të ndjekur edhe disa nga lojtarët që ai i ka në listën e skuadrës së tij. Pas konfirmimit dhe shtyrjes së ndeshjes derbi, për të premten, në tribunë do të jetë edhe trajneri i kombëtares sonë, që ende nuk e ka shpallur listën anti-Armeni, për ndeshjen eliminatore të 29 marsit.
KOHA JONË SONDAZH

