Rafa Benitez flet si madrilen: Jam entuziast për aventurën e re
Rafa Benitez fshin menjëherë zhgënjimin e humbjes së Napolit duke hipur në avionin e parë me destinacion Madridin ku do të nisë një aventurë të re në stolin e Realit. Ai zbarkoi në kryeqytetin spanjoll duke hedhur pas një eksperiencë plot ulje ngritje në Itali dhe duke hedhur sytë nga e ardhmja. “Jam shumë entuziast për aventurën e re te Reali i Madridit”, deklaroi Benitez menjëherë pasi shkeli në vendlindje. Një deklaratë që i hap rrugën zyrtarizimit të 55-vjeçarit në stolin e “Los Blancos” pas shkarkimit të Carlo Ancelottit vetëm pak ditë më parë. Benitez u spostua në Madrid në shoqërinë e bashkëpunëtorëve me të cilët mendohet se do të punojë edhe në “Santiago Bernabeu”. Gjatë 2 viteve në drejtimin e Napolit, ai arriti të fitonte Kupën e Italisë dhe Superkupën në finalen e 2014-ës kundër Juventusit. Aventura e tij në qytetin jugor italian u shoqërua me shumë kritika pasi Benitez nuk arriti të plotësonte pritshmëritë e tifozëve dhe presidencës për një skuadër që mund të luftonte për titullin kampion. Këtë sezon, Napoli e mbylli në vendin e pestë duke siguruar vetëm kualifikimin për në Europa League.
KOHA JONË SONDAZH

