Raikkonen drejt largimit nga Ferrari?
Aventurës së Kimi Raikkonenit te Ferrari mesa duket po i vjen fundi. Piloti finlandez, i cili pak muaj më parë ishte shumë pranë rinovimit me skuadrën italiane nuk bind më, dhe drejtuesit e kokëkuqes po mendojnë seriozisht zëvendësimin e tij për vitin 2016. Ka mjaftuar një garë pikërisht Cmimi i Madh i Kanadasë që situata mes Raikkonen dhe Ferrarit të tensionohet. Skuadrës italiane nuk i ka pëlqyer aspak se si e ka menaxhuar garën e Montrealit 35-vjecari skandinav, me Raikkonen që edhe pse u nis nga vendi i 3-të bëri një gabim të pafalshëm duke e përfunduar garën në vendin e 4-t.
Në Kanada finlandezi u la në hije nga shoku i tij skuadrës gjermani Sebastian Vettel që pavarësisht problemeve me makinën e tij në provat zyrtare rikuperoi plot 10 pozicione duke u renditur në vendin e 5-t. Paraqitja e Kimit në Montreal la shumë të zhgënjyer presidentin e Ferrarit, Sergio Marchione dhe akoma më tepër shefin e skuadrës Maurizzio Arrivabene, i cili e cilësoi si të pajustifikueshëm gabimin e Raikkonen. “Për mendimin tim ishte një moment neglizhence, mund të duket e mërzitshme nëse një skuadër si Ferrari lufton për vendin e tretë por është akoma më keq kur mbetesh jashtë podit”, theksoi në deklaratën e tij Arrivabene.
Aktualisht në klasifikimin e përgjithshëm, Raikkonen pozicionohet në vendin e 4-t në kuotën e 72 pikëve, dhe vështirë se finalandezi do ta përfundojë kampionatin Botëror të Formula 1 në treshen e parë. Paraqitjet e 35-vjecarit gjatë këtyre dy viteve kanë qenë krejtësisht për t’u harruar dhe sipas asaj që raportojnë media të ndryshme bashkëpunimi mes Raikkonen dhe Ferrarit do të ndërpritet përfundimisht në mbyllje të këtij sezoni. Me shumë mundësi zëvendësuesi i Kimit te kokëkuqja do të jetë një tjetër finlandez pikërisht Valteri Bottas që aktualisht është pjesë e Ëilliamsit.
KOHA JONË SONDAZH

