Sabjen Lilaj: Kemi shansin, të shkruajmë historinë e Skënderbeut në Europë

Intervistoi: Aranit Muraçi

Sabjen Lilaj, i lindur në Maliq më 10 shkurt 1989 dhe i rritur në Tiranë, pas mbylljes së këtij sezoni u shpall kampion me Skënderbeun e Korçës, si dhe është një ndër futbollistët e paktë të kampionatit shqiptar që bën pjesë edhe në kombëtaren e Gianni de Biasit. Para se t’i bashkohej Skënderbeut, ai ka luajtur edhe me Lokomotiva Zagreb, si dhe me Tiranën. Ndërkohë, që pas tre sezonesh, ka rinovuar kontratën me skuadrën e vendlindjes, me kusht që mund të largohet vetëm për ndonjë ekip të huaj edhe gjatë kohës që është në kontratë.Dy janë synimet e tij në pjesën e mbetur të karrierës:  të shkojë në fazën e grupeve të Europa League me Skënderbeun, si dhe të bëhet pjesë e një skuadre më të madhe evropiane. Lilaj aktualisht ndodhet në fazë përgatitore me ekipin në Austri. Me shumë kënaqësi, ai pranoi një intervistë për “Koha Jonë”, mbi synimet që ka në të ardhmen. Debutimi me fanellën e kombëtares sonë, Lilaj thotë ndër të tjera se ishte momenti më emocionues në karrierën e deritanishme:

Sabjen, sa ndikoi titulli kampion që fituat me Skënderbeun, për të rinovuar sërish kontratën me ekipin e vendlindjes suaj?

Swiss Digital Desktop Reklama

Titulli kampion ishte një shtysë e madhe për mua, sepse tregoi se Skënderbeu mbetet përsëri ekipi më i mirë, po nuk ishte vetëm kjo arsyeja e rinovimit të kontratës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vitin e kaluar ishit në dilemë për të rinovuar, madje kaluar për kohë në një ekip tjetër. Pse nuk patët dilema këtë vit dhe rinovuar ndër të parët te Skënderbeu?

Këtë  vit kam firmosur vetëm për të luajtur në Shqipëri me Skënderbeun, por nëse do të kem një ofertë më të mirë nga jashtë vendit, ka një marrëveshje në kontratë dhe jam i lirë të largohem.

E pati të vështirë presidenti Ardian Takaj t’ju bindë. Cili ishte premtimi i tij para sezonit të ri futbollistik?   

Me presidentin kemi marrëdhënie shumë të mirë, ai plotësoi kushtet e mia dhe marrëveshja u arrit shumë shpejt. Premtimi i presidentit ishte që edhe këtë vit do të tentojmë grupet e Europa League kështu që shpresojmë ta arrijmë të gjithë së bashku.

Cila është diferenca mes Skënderbeut dhe skuadrave të tjera të kampionatit, pasi në pesë sezonet e fundit skuadra juaj ka vendosur një rekord me pesë tituj radhazi kampion?

Diferenca është ruajtja e grupit dhe eksperienca që ka ky grup për të fituar.

Rinovimi vjen në një moment kur edhe riktheheni në kombëtare. A besoni se mund ta fitoni një vend titullari, apo qoftë edhe të jeni pjesë e kombëtares, duke luajtur në kampionatin shqiptar?

Kombëtarja ishte diçka e bukur, por që  s’ka lidhje me rinovimin, gjithsesi është shumë vështirë për një vend titullari kur luan në kampionatin shqiptar.

Cila është atmosfera në kombëtaren tonë dhe sa optimizëm ka brenda grupit për një kualifikim të mundshëm në Francë 2016. Ju personalisht besoni dhe a shihni veten pjesë të një eventi si Europiani, në finalet e së cilit Shqipëria nuk ka marrë pjesë asnjëherë tjetër më parë?

Atmosfera në ekipin kombëtar ka gati gjithë sezonin që duket shumë e mirë dhe optimiste. Kjo tregohet edhe nga vetë rezultatet, por gjithë  skuadra është me këmbë në tokë, dhe do të luftojë ndeshje pas ndeshjeje për të realizuar ëndrrën e gjithë shqiptarëve.

Një vit më parë Skënderbeu ishte shumë pranë fazës së grupeve në Kupat e Europës. A besoni se janë shanset këtë vit që skuadra juaj të hedhë hapin e madh historik?  

Shanset kane qenë gjithmonë, po duhet edhe pak fat me vete. Mendoj se këtë vit jemi më të plotë, plus që ishim edhe në vazon e skuadrave të forta, dhe tanikemi më tepër shanse kualifikimi, kështu që le të shpresojmë të jetë ky viti i duhur.

A ju ka mbetur gjë peng, nga karriera e deritanishme si futbollist?   

 Peng më ka mbetur vetëm ndeshja me Odesen që e humbëm me penallti. Besoj se meritonin më shumë në atë  ndeshje, por futbolli kusht  e ka, prandaj është edhe i bukur.

Çdo futbollist ka synimet e tij në jetë. Çfarë synon Sabjen Lilaj të arrijë në pjesën e mbetur të karrierës?

Synimi im është ta çojmë Skënderbeun në grupet e Europa League. Më pas dua të  luaj në një ekip jashtë vendit, për t’u përmirësuar akoma si futbollist

Ju kujtohet ndeshja më emocionuese deri tani dhe ajo që ju ka bërë të ndjeheni më keq?

Ndeshja më emocionuese ka qenë debutimi në Francë me kombëtaren. Ishin emocione vërtet të pa përshkrueshme, ndërsa ndeshja që më ka bërë të ndihem keq ishte ajo me Flamurtarin në Korçë, kur nxora shpatullën dhe mbeta rreth 4 muaj pa luajtur më futboll.

Përveç futbollit, si kalon pjesa tjetër e ditës për një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës kampione në Shqipëri?

Faleminderit për konsideratën. Në përgjithësi dita kalon rreth futbollit dhe familjes, stërvitje, pastaj kafe, me çunat e ekipit, kuptohet, dhe pjesa tjetër në shtëpi, pranë familjes sime!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?