Sekretet e “MSN”, Suarez: Ju tregoj si është Messi dhe pse Neymar iku nga Barcelona
Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, në një intervistë të dhënë për “kicker” ka zbuluar disa sekrete të shokëve të tij te klubi katalanas. Uruguaiani si fillim foli për Lionel Messi-n, me të cilin ndan edhe shumë momente jashtë fushave të lojës.
“Leo është kolegu dhe miku im, një person i mirë dhe një njeri i madh familjar. Është një njeri, me të cilin kam shpenzuar katër sezone të paharrueshme. Unë nuk shoh te Messi atë, që pjesa tjetër e botës sheh. Por, ka momente në fushë, edhe me mua, kur e kuptoj atë, se është një futbollist i madh dhe çfarë gjërash të pabesueshme bën”.
Suarez më pas shpjegon se Messi e ka ndihmuar shumë të përshtatet te Barcelona, si brenda dhe jashtë fushe: “Ne nuk jemi vetëm futbollistë, jemi edhe baballarë, kemi zakone të ngjashme dhe jemi pothuajse në të njëjtën moshë. Ne gëzojmë dhe argëtohemi, pimë kafe, ndonjëherë edhe hamë së bashku. Kjo ka rezultuar një marrëdhënie e bukur. Dhe me kalimin e kohës, edhe një besim i madh.
Në futboll është e vështirë të gjesh një mik të vërtetë, veçanërisht nëse ai luan në të njëjtin pozicion. Ka shumë ego në një skuadër futbolli, por kjo nuk ndodhi kurrë në grupin tonë te Barcelona. Kjo është provuar gjatë viteve. Ai, gjithashtu, më ndihmoi për të fituar ‘Këpucën e Artë’. Nuk ka xhelozi mes nesh, vetëm krenari për ndarjen e gjërave me një mik”.
Jo më larg se 1 vit më parë te Barcelona ishte treshja më e frikshme, ‘MSN’, ajo e cila theu të gjitha rekordet e këtij klubi dhe jo vetëm.
Fatkeqësisht për tifozët katalnas ajo u shpërbë pasi Neymar verën e kaluar vendosi të transferohej te Paris SG për shifrën rekord të 222 mln eurove.
Suarez pretendon se Neymar kishte dyshime nëse ishte duke bërë zgjedhjen e duhur, përpara se të nisej drejt Francës: “Ne biseduam me të, Messi dhe unë. Neymar na pyeti për mendimin që kishim, – sqaron Suarez. – Ai kishte dyshime. Ishte këtu për një kohë dhe kishte gjithçka, për të cilën kishte nevojë. Unë nuk mendoj se shkoi për paratë te PSG. Neymar ka synime të tjera, që dëshiron t’i arrijë në Paris”.
KOHA JONË SONDAZH

