Serbi i Partizanit, Stefan Raçiç: Më pëlqen Shqipëria, njerëzit janë mikpritës
Sulmuesi serb i Partizanit, Stefan Raçiç me paraqitjet dhe golat e shënuar këtë sezon ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve e të kuqve kryeqytetas. Partizani ndonëse edhe këtë sezon mbeti pa trofe, e ndali Tiranën në derbin e fundit 2-2, duke rritur shanset për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Raçiç, pavarësisht problemeve të lindura mes dy kombeve dhe sidomos pas ngjarjeve të Beogradit, në ndeshjen eliminatore Serbi-Shqipëri, thotë se ka ardhur si një profesionist të luajë me Partizanin në Tiranë, është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur, hedh poshtë çdo notë të tepruar nacionalizmi dhe fokusohet tek anët më të pozitive të jetës së tij në Shqipëri dhe karrierës me një nga klubet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar:
Cili është ndryshimi midis Superligës serbe dhe asaj shqiptare?
Sa i përket kualitetit aty-aty janë që të dyja pa shumë dallime, përveç se në Serbi numri i ekipeve cilësore është pak me madh.
A mendoni se te gjitha provokimet ndaj jush në derbin e së hënës ishin vetëm për faktin që jeni futbollist serb?
Nuk do kisha dashur kurrë ta mendoja diçka të tillë. Ne jemi profesionistë , më pas kolegë me njëri- tjetrin dhe në futboll duhet të sillemi si të tillë. Në derbin ndaj Tiranes provokime ka pasur ndaj secilit lojtar të Partizanit jo vetëm ndaj meje, por e thashë edhe këto gjëra janë pjesë e lojës.
Çfarë i thatë Bulkut në momentin e replikës në ndeshjen e asaj nate?
Kemi pasur replika të shumta gjatë gjithë ndeshjes, por kjo besoj se është diçka normale gjatë një ndeshje futbolli. Unë jam munduar te sillem si një lojtar profesionist në fushë, pavarësisht provokimeve që më janë bërë nga lojtarë të Tiranës.
Pse zgjodhe Partizanin?
Sepse ma ofruan dhe më thanë që ai është ekipi më i madh në Shqipëri. Dhe nga momenti që kam nënshkruar jam bindur plotësisht se kjo ishte zgjedhja e duhur.
Shqipërinë e do apo e urren?
Më pëlqen Shqipëria sepse është shumë vend i bukur, kam dëgjuar se ka një bregdet të paparë, njerëzit janë shumë mikpritës dhe miqësor. Këtë e them me bindje se me kanë bërë të ndjehem si në shtëpinë time.
Me i bukur derbi Partizani -Tirana apo derbi i Beogradit
Derbi mbetet Derbi…
A do ikje tek Tirana nëse do të keni ndonjë ofertë nga kjo skuadër?
Asnjëherë nuk do të shkoja tek Tirana çfarë do lloj oferte te më bënte. Përveç Partizanit nuk do të luaja për asnjë klub tjetër në Shqipëri. Kontrata ime me Partizanin është e përjetshme.
Cilës skuadër të pëlqen t’i shënosh më shumë?
Dëshiroj shumë t’i shënoj gola të gjitha skuadrave , por veçanërisht Tiranës pasi një gol ndaj Tiranes është dhurata më e bukur që mund t’i bësh tifozëve të Partizanit.
Çfarë mendimi keni për Guerilsat, tifozët e Partizanit?
Janë fantastikë, kam nderin që luaj për ta. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për mbështetjen e tyre, sepse na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë kudo ku jemi.
KOHA JONË SONDAZH

