Shala: Kam gjak shqiptari, prandaj zgjodha pa hezitim Shqipërinë
Herolind Shala, mesfushori premtues i kombëtares shqiptare, ndodhet në Kosovë për pushime. Lojtari i Spartës së Pragës ka rrëfyer edhe fillimet e karrierës së tij. – “Karrierën time e kam nisur në Norvegji me një klub, kur isha vetëm 4 vjeç. Quhet Tollnes. Aty kam luajtur nga mosha 4 deri në 16 vjeç. Pastaj u largova dhe shkova të luaj në ligën e dytë norvegjeze, te Notodden. Me këtë klub u aktivizova 3 vite e gjysmë. U largova që aty për t’u rritur si lojtar, për të marrë më shumë eksperiencë, me destinacion Superligën e Norvegjisë. Odd Grenland më bleu. Klubi dhe trajneri më kanë dashur shumë si lojtar, më kanë dhënë mundësinë të luaj e të tregoj veten, ndaj u ktheva në një lider,” – tregon 23 vjeçari.
Sparta e Pragës – Janari 2015ishte momenti më i rëndësishëm për karrierën e deritanishme të mesfushorit kuqezi. Ai u transferua te Sparta e Pragës, një skuadër me emër në Çeki, por edhe më tej. Një rritje, padiskutim, në karrierë për futbollistin kosovar. – “E zgjodha Spartën e Pragës mes ofertave të tjera që kisha, sepse është një klub me emër të madh. Kjo skuadër luan rregullisht çdo vit në Ligën e Kampioneve ose në Ligën e Europës. Drejtuesit e këtij klubi besonin shumë tek unë, ndaj zgjodha Spartën e Pragës. Fillimin me këtë klub e pata shumë të mirë. Luajta disa miqësore, dhashë asiste, bëra gola. Më pas u dëmtova dhe kjo ma prishi pak punën. Tash jam rikthy, e kam këmbën mirë dhe shpresoj të jap më të mirën në sezonin e ri”.
Kombëtarja – Kur flet për kombëtaren kuqezi emocionet i shtohen, aq sa i dridhet edhe zëri. Me të rinjtë kishte veshur fanellën e Norvegjisë, ndërsa fanellën kuqezi, me numrin e Canës, e kishte veshur pa qenë ende pjesë e përfaqësueses shqiptare. “Kisha dy ftesa për në kombëtare: Norvegjinë dhe Shqipërinë. Zgjodha fanellën kuqezi, të kombit tim, sepse kështu më tha zemra, kështu donte edhe familja ime. Jam shqiptar, kam gjak shqiptari dhe për këtë arsye zgjodha pa hezitim Shqipërinë.
Kur kam qenë në Kosovë, me pushime, e kam blerë një fanellë të kombëtares kuqezi, që kishte të shkruar në të emrin e Canës, me numrin 5. Kur luajtëm me 17-vjeçarët e Norvegjisë kundër Gjermanisë, ku aktivizohej edhe Mario Gëce, e kam veshur fanellën kuqezi me numrin 5 mbi atë të Norvegjisë, para lojës. Me luajt përkrah Canës ka qenë gjithë ëndrra ime. Kur shkova te Odd Grenland i bëra një premtim vetes: për tri vite do të luaj në një skuadër me Canën. Me këtë kisha parasysh kombëtaren e Shqipërisë. Thirrja në kombëtaren kuqezi ishte kënaqësia më e madhe që kam provuar.”
“Euro 2016” –Herolind Shala beson te suksesi i shumëdëshiruar nga një komb i tërë, kualifikimi për herë të parë në finalet e një Europiani. “Kemi një grup të mirë lojtarësh, trajnerët janë shumë profesionistë, ndaj edhe rezultatet pozitive nuk kanë munguar. Personalisht besoj se do të kualifikohemi në finalet e “Euro 2016”. Gjithmonë jam i gatshëm të kontribuoj për kombin tim dhe me arrit qëllimin që e kemi me kombëtaren, shkuarjen në Francë.”
KOHA JONË SONDAZH

