Skandal trukimesh në Spanjë, arrestohen futbollistë dhe zyrtarë të lartë
Policia spanjolle ka ekzekutuar disa masa arresti si pjesë e një hetimi për trukim të ndeshjeve. Në pranga kanë rënë ish-lojtarë, por edhe futbollistë aktualë, sikurse edhe shefa klubesh, që siç raportohet, janë nga klubet e dy kategorive më të larta të futbollit spanjoll.
Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se në kuadër të një hetimi për një seri ndeshjesh të trukuara në sezonet 2016-2017 dhe 2017-2018, është vënë në pranga edhe ish-futbollisti i Realit të Madridit, Raul Bravo, tashmë në moshën 38-vjeçare, i tërhequr nga futbolli.
Gjithashtu është arrestuar edhe Borja Fernandez, edhe ai 38-vjeçar, i cili vetëm pak kohë më parë është tërhequr nga futbolli. Gjatë sezonit që sapo u mbyll është aktivizuar në 19 ndeshje me Valladolidin, skuadër që ka për president Ronaldo “Fenomenin”.
Më herët, policia spanjolle ka vënë në pranga edhe presidentin e Huescas Agustin Lasaosa, si dhe mjekun e këtij klubi, të cilët akuzohen për trukim të ndeshjeve.
KOHA JONË SONDAZH

