“Skarcime” te Skënderbeu, ikin Stojkov e Martins
Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga festa e titullit të 6 në historinë e Skënderbeut, klubi korçar zyrtarizon largimet e para nga ekipi. Bëhet fjalë për maqedonasin Aco Stojkov dhe brazilianin Diego Martins. Klubi dhe sulmuesi maqedonas kanë arritur një marrëveshje të përbashkët për të ndërprerë rrugën e bashkëpunimit. 32-vjeçari Stojkov u bashkua me bardhekuqtë gjatë merkatos së Janarit për të forcuar repartin e sulmit dhe gjatë pjesës së tretë dhe të katërt të sezonit u vu nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa duke ndihmuar skuadrën në rrugën drejt titullit të 5 rresht. Stojkov është pjesë e Kombëtares së Maqedonisë që prej vitit 2002 ku numëron 43 ndeshje dhe 5 gola të shënuar. Me Skënderbeun ai ka luajtur 13 ndeshje duke shënuar edhe 3 gola, dy prej të cilëve vendimtarë, në transfertën e Vlorës kundër Flamurtarit në 8 Mars dhe tjetrin në Fier ndaj Apolonisë. Pas eksperiencës së shkurtër shqiptare, Stojkov mund të rikthehet në kampionatin maqedonas ku më parë është aktivizuar me Vardarin e Rabotnickin. Sulmuesi tjetër që nuk do të jetë më pjesë e kampionëve të Shqipërisë, Diego Martins u bashkua me Skënderbeun gjatë muajve të verës. Ai ka shënuar 7 gola gjatë këtij sezoni në 29 ndeshje të luajtura.
KOHA JONË SONDAZH

