Skënderbeu, plot 5 mln euro nëse arrin objektivin në Champions League
Të djelën në Korçë, Skënderbeu pret Flamurtarin dhe fitorja i siguron titullin e 5-të kampion. Por te Skënderbeu kanë nisur të mendojnë për të ardhmen e Champions. Sigurisht që synimi mbetet i lartë ashtu siç pritet të jenë edhe fitimet për kampionët këtë sezon. Korçarët kanë arritur rekordin prej 5 titujsh radhazi, dhe pritet të vendosin rekordin edhe përsa i përket përfitimeve financiare brenda një sezoni, nisur kjo nga paratë që vijnë nga fitimi i titullit, e drejta televizive dhe të ardhurat e UEFA-s për pjesëmarrjen në Champions League. Kjo e fundit mund të jetë një ndihmë e madhe për Skënderbeun duke parë që formati i shpërblimeve nga qeveria europiane e futbollit ka ndryshuar për sezonin e ri. Me fitimin e titullit kampion, Skënderbeu pritet të marrë nga arkat e FSHF 100 milion lekë të vjetra, të cilave do t’i shtohen edhe 60 milionë të tjera nga e drejta televizive.
Por ajo që pritet të mbushë arkat e klubit është pjesëmarrja në Champions League, pasi UEFA ka bërë të ditur shumën prej 1 miliard e 257 milion Eurosh për të gjitha klubet pjesëmarrëse në këtë edicion. Mendohet që për herë të parë vetëm për pjesëmarrjen në turin e dytë, përfitimi i korçarëve të jetë mbi 250 mijë Euro. Nëse Skënderbeu do të synojë të shkojë të paktën deri në Play Off, atëherë rekordi do të vendoset tek të ardhurat financiare. Këtë sezon UEFA ka vendosur që për skuadrën që fiton në Play Off dhe vijon në fazën e grupeve, shpërblimi i menjëhershëm financiar të jetë 2 milion Euro për të vijuar më pas me të tjera bonuse në fazën e grupeve. Risia qëndron tek skuadra që eliminohet në "Play Off" dhe kalon në Europa League, e cila do të përfitojë plot 3 milion Euro. Kjo është një arsye më shumë që Skënderbeu këtë verë të ndërtojë një strategji perfekte për paraqitjen europiane, në mënyrë që të vendosë rekordin edhe përsa i përket të ardhurave financiare.
KOHA JONË SONDAZH

