Speciale e “Gazzetta dello Sport”: Ndoj, një yll i ri po rritet te Brescia
“I lindur në Catania. Rritur në Padova, pastaj në Romë. Pika e fortë e Brescia, pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Emanuele Ndoj është një simbol i përsosur i integrimit. Lidhja e tij me origjinën nuk bie ndesh me atdheun e adoptuar (Italinë). Zgjedhja e tij, e ngjashme me atë të një Giggs ose Boateng, nuk bie ndesh me anëtarësimin në të njëjtën klub me Bisoli dhe Tonali. Ndoj u bë profesionist tek Brescia dhe tani në mesin e lojtarëve më të kuotuar dhe të rrezikshëm në të gjithë Serie B”, këto janë fjalët e “La Gazzetta dello Sport” për mesfushorin kuqezi, që po kalon një moment të shkëlqyer në Itali.
Progresi- Rritja e 22-vjeçarit shqiptar nuk është vetëm për golin e bukur që shënoi këtë të martë në Padova në stilin Del Piero, por mesfushori ka njohur progres eksponencial dhe po rritet muaj pas muaji. Ndoj e filloi karrierën me të rinjtë e Padova-s, për të shkuar tek Roma U19, që e shiti tek Brescia për 1.2 milionë euro dhe më pas u rikthye sërish te Roma U19 në formë huazimi në vitin 2016. Që pas atij viti për të interesohej Spal dhe vlerësohej se mund të shitej deri në 10 milionë euro, por në fund u kthye tek Brescia dhe tani përkrah Tonali po njohin sukses ditë pas dite.

Metamorfoza e Ndojit- Ishte i destinuar për t’u bërë një futbollist i njohur, edhe pse drejtuesit e klubit e pëlqenin por edhe dyshonin tek ai. Askush nuk dyshonte për talentin e tij, por në fushë tregonte shumë pak nga potenciali i tij. Këmbët i kishte magjike, por nuk shënonte dot e nuk jepte asist. E dinte se mund të driblonte, por se kaloi dot asnjë kundërshtar. Elegant, por jo bindës. Tani është ndryshe. Në dy sezone te Brescia Ndoj ka përparuar. Ekipi po komandon në Serie B dhe pretendon të ngjitet në A sezonin e ardhshëm, ashtu edhe mesfushori Shqipërisë po dominon në fushë. Driblimet i bën të duken të thjeshta, asistimet nuk mungojnë, madje as golat. Përcaktues në ndërhyrjet e tij, ka korrigjuar numrin e kartonëve që merrte, aftësitë e tij përkthehen në performancë të shkëlqyer dhe sjellje të patëmetë. De Biasi desh e mori tek Shqipëria, por asokohe ishte tepër i ri, Panucci ia dha shansin dhe në Itali ndihen sikur kanë humbur një talent të tyre, e ëndërronin në mesfushë e “azurrëve” bashkë me Tonalin.
KOHA JONË SONDAZH

