Stanislav Levi, firmos “bashkë me titullin kampion” për Flamurtarin
Tekniku çek firmosi kontratën me presidentin Sinan Idrizi dhe do të nisë menjëherë punën për ndërtimin e një skuadre pretendente për trofe. Kohë-zgjatja e kontratës është 1-vjeçare me të drejtën e rinovimit edhe një sezon tjetër nëse arrihen objektivat. Kushti i presidencës vlonjate është titulli kampion, madje edhe ana financiare e kontratës është përpiluar në bazë të arritjeve në fushën e blertë. Nëse arrin të fitojë titullin, 57-vjeçari përveç rrogës, do të përfitojë edhe një bonus të majmë.
Firma me Levin do të pasohet me lëvizje të shumta në merkato, sepse nga organika që mbylli sezonin do të qëndrojnë vetëm disa elementë. Stanislav Levi e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi ka drejtuar Skënderbeun në sezonin 2011-2012, duke fituar titullin kampion, por u largua nga klubi korçar menjëherë pas eliminimit të Skënderbeut nga Debreceni më Champions League. Skuadra e fundit që ka drejtuar trajneri çek është Slask Vroklav në Poloni, ku ka luajtur edhe Sebino Plaku, një sulmues që mund të transferohet në Vlorë pas zyrtarizimit të Levit, në krye të Flamurtarit.
KOHA JONË SONDAZH

