Titulli dhe mbijetesa, ja duelet e javës së 22-të në Superiore
Java e 22-të e Kategorisë Superiore do të sjellë ndeshje shumë interesante për vendet e para, por edhe për mbijetesën. Kukësi udhëton në “Niko Dovana” për t’u përballur me Teutën, në një duel që mund të përcaktojë se kush do të vijojë të jetë skuadra anti-Partizan deri në fund të kampionatit. Skuadra e Gegës ndërkohë do të jetë e impenjuar në një transfertë delikate ndaj Laçit në transfertë. Kurbinasit kërkojnë rikthimin te fitorja pasi në javët e fundit kanë shfaqur shumë oshilacione. Megjithatë Partizani është i vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, ndaj një kundërshtari që kërkon të konfirmohet në kompeticionet e UEFA-s edhe për këtë sezon.
Sa i përket ndeshjeve për zonën europiane, do të jetë shumë interesante dhe i gjithi për t’u shijuar dueli mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Kuqezinjtë, të eliminuar nga Kupa, shohin drejt kampionatit për të arritur mes 4 më të mirëve, një pozicion të cilin po e mbajnë për momentin korçarët. Skuadra e Shehit mori një fitore me vuajtje në javën e fundit dhe shpreson që të ruajë këtë ritëm.
Shumë interesante do të jenë edhe dy duele të tjera që mund të konsiderohen për mbijetesë. Në “Selman Stërmasi” Tirana pret Luftëtarin. Bardheblutë, që vijnë nga një moment i mirë, dëshirojnë të krijojnë shkëputjen me zonën e ftohtë, teksa gjirokastritët janë kundërshtari më i afërt në klasifikim. 3 pikë diferencë nuk janë shumë dhe për bluzinjtë e Ahmatajt është një mundësi e artë për të vijuar në rrugën e nisur.
Në Kamëz luhet një finale e vërtetë, pasi vendasit presin Kastriotin në një duel mes dy ekipeve që ndajnë fundin e klasifikimit për efekt golaverazhi. Kamza vjen pas një pike të marrë në transfertën e Durrësit ndaj Teutës, ndërsa Kastrioti ndali hapin ndaj Partizanit. Nëse ndonjë prej këtyre dy skuadrave do të arrijë që të marrë pikë të plota, padyshim do të jetë një hap i rëndësishëm përpara për të siguruar mbijetesën. Merkato e janarit ka konfirmuar vështirësitë financiare të të dyja skuadrave, ndaj dhe shpëtimi do të varet vetëm nga episodet dhe duele të tilla.
Java e 22-të
Nesër
Teuta-Kukësi 18:00
Të shtunën
Tirana-Luftëtari 17:00
Të dielën
Kamza-Kastrioti 14:00
Laçi-Partizani 14:00
Flamurtari-Skënderbeu 17:00
KOHA JONË SONDAZH

