Trajneri i Vllaznisë sfidon Skënderbeut: Në Korçë vetëm për fitore!
Vllaznia u rikthye te fitorja ndaj Luftëtarit dhe tashmë kërkon të vijojë ecurinë pozitive edhe ndaj Skënderbeut. Trajneri Mirsaid Jonuz në konferencën për shtyp para duelit ka sfiduar korçarët.
“Situata në ekip është krejt e mirë dhe nuk kemi asnjë dëmtim. Megjithatë, për më tepër do të shohim edhe seancën e sotme që është e fundit, për të konstatuar situatën e të gjithë futbollistëve. Në radhët e ekipit ka optimizëm dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.
Kjo është një ndeshje tjetër dhe nuk ka asgjë të përbashkët me atë të fazës së parë. Kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme dhe njëkohësisht të vështirë. Këto dy takime kanë shumë ndryshime me njëri- tjetrin, por ajo që nuk ndryshon është se futbollistët e mi janë të inspiruar për të bërë më të mirën edhe këtë herë. Ne shkojmë vetëm për fitore.
Mënyra e lojës nuk do të ndryshojë, por në minutat e fundit, ndoshta ndryshojmë ndonjë lojtar në formacionin bazë. Megjithatë ende nuk e kam vendosur përfundimisht. E rëndësishme për Vllazninë është të grumbullojë sa më shumë pikë, pavarësisht faktit nëse luan në fushën e saj apo në transfertë. Për ne vlejnë pikët dhe ngjitja sa më lart në tabelën e klasifikimit”, deklaroi Jonuz.
KOHA JONË SONDAZH

