Vjen momenti: Barça –Bajern, sot spektakli i garantuar

Në gjysmëfinale dy vjet më parë, Bajerni i Jupp Heynckes masakroi 7-0 në dy ndeshje Barçën e Tito Vilanova-s. Prej aty skuadra bavareze fitoi në finale ndaj Dortmundit, duke kompletuar treshen e famshme, megjithatë zgjedhja e drejtuesve të Bajernit për të ndryshuar kursin dhe për t’i besuar drejtimin e skuadrës Pep Guardiolës befasoi jo pak.

Pep Guardiola rikthehet sot në “Kamp Nou”, si kundërshtar i Barcelonës.  Gjatë periudhës 4-vjeçare të mbretërimit në Katalonjë,  nga viti 2008 deri më 2012, Pep Guardiola koleksionoi plot 14 trofe, ku spikasin 2 trofe të Champions League, ndërsa kulmi i tij me Barçën konsiderohet fitimi i plot 6 trofeve në një sezon të vetëm, diçka e paprecedent në historinë e futbollit. Që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe 44-vjeçari nga Santpedori po përjeton momentin më të vështirë në timonin e klubit më të famshëm gjerman. Pavarësisht mbrojtjes së titullit në Bundesligë, eliminimi në Kupë si dhe forma e dobët që po shfaq skuadra kohët e fundit kanë ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me të ardhmen e tij te klubi bavarez. Disfata në Leverkuzen ishte parashikuar nga të gjithë për shkak të ndryshimeve rrënjësore në formacion, megjithatë skuadra paraqitet në sfidën më të fortë të sezonit pa lojtarë tepër të rëndësishëm. Polemikat e mëdha në lidhje me dëmtimet e shumta shkaktuan dorëheqjen e stafit mjekësor, sidoqoftë situata në ekip vazhdon të jetë e nderë në këtë drejtim dhe Guardiola është fajtor për aktivizimin e menjëhershëm pas riaftësimit të Arjen Robben. Kështu Bajerni përvec holandezit nuk do të ketë në dispozicion as emra të tillë si Franck Ribery, David Alaba dhe Holger Badstuber, ndërsa sulmuesi polak Robert Leëandoëski është i shtrënguar të luajë pavarësisht dëmtimit në hundë.

 

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Gjermani është spekuluar shumë se Pep Guardiola mund ta nisë takimin në Camp Nou me tre mbrojtës në qendër, por në njëfarë mënyre kjo tregon më së miri edhe formën e ndryshme me të cilën paraqiten këto dy skuadra në ndeshjen e vajtjes. Si rrallëherë Bajerni nuk njeh fitore në tre ndeshjet e fundit jashtë në Champions, humbje me City-n në grup, barazim me Shakhtar në Ukrainë si dhe një disfatë e papritur me dy gola diferencë në Porto nga dragonjtë. Kjo është gjysmëfinalja e 4 në 5 edicionet e fundit në Champions për Bajernin dhe e 17 pjesëmarrje gjithsej në këtë fazë, ku bien në sy kualifikimet, 10, ndaj 6 eliminimeve. I fundit vërtet i turpshëm dhe vetëm 12 muaj më parë, ku Bajerni u poshtërua 5-0 nga Reali, gjithsesi klubi i famshëm bavarez krenohet me faktin se është kualifikuar 5 herë në 7 përballjet e ndryshme me klubet spanjolle në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Kur u hodh shorti Guardiola me mendjemadhësi premtoi se do ta eliminojë Barçën, pasi sipas tij, skuadra blaugrana nuk di të mbrohet, gjithsesi pavarësisht optimizmit të pashpjegueshëm të 44-vjeçarit në Sabener Strasse deklaratat e pjesës tjetër të klubit janë shumë më të përmbajtura, dhe kjo është e kuptueshme sepse pjesa më e madhe në glob e mendon ndryshe, madje edhe vetë bookmakers-at që kuotojnë Barçën si ekipin favorit për të shkuar në finalen e 6 qershorit, në Olympiastadion.

Swiss Digital Mobile Reklama

 

 Nëse Bajern pësoi 4 gola nga një ekip si Porto, rrjeta e Barcelonës në krahun tjetër u tund vetëm një herë nga futbollistët e Paris SG. Skuadra e Luis Enrique ka triumfuar në 15 nga 16 ndeshjet e fundit, në të gjithë aktivitetet, ndërkaq ekipi “blaugrana” ka arritur t’i fitojë të pesta ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, në Champions gjatë këtij sezoni. Natyrisht Bajerni është krejt tjetër gjë krahasuar me skuadra të tilla si Getafe apo Cordoba, megjithatë Barca ka shënuar plot 14 gola vetëm në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe praktikisht edhe golin e fundit që kanë pësuar e kanë shënuar ata vetë, pikërisht në Paris me francezin Jeremy Mathieu. Treshja Messi – Neymar – Suarez tashmë numëron 108 gola në sezon, duke thyer rekordin e treshes së sulmit që Guardiola kishte në dispozicion në edicionin 2008-09 Messi – Eto’o – Henry. Ekipi katalanas është në gjysmëfinale për herë të 7 në 8 edicionet e fundit në Champions, gjithsesi vlen të theksohet fakti se Barça është kualifikuar vetëm 6 herë për në finale nga 14 gjysmëfinalet e zhvilluara, pasi në sezonin 1991-92 ata u kualifikuan për në finalen e paharrueshme të Ëemmbley-t direkt nga faza e grupeve.

 

 Luis Enrique nuk ka probleme me formacionin, madje i është riaftësuar edhe mbrojtësi belg Thomas Vermaelen. Përveç trajnerit  Pep Guardiola, si kundërshtarë këtë herë në “Camp Nou” do të zbresin edhe Pepe Reina apo Thiago Alcantara, vëllai i të cilit Rafinha është pjesë e ekipit të Barçës. Për sa i përket bilancit ndërmjet tyre: bavarezët kanë fituar 3 nga 4 përballjet e luajtura në Katalonjë, ku gjithçka filloi me atë fitore të madhe të Bajernit të Otto Rehagel 2-1, që shkaktoi eliminimin e Barçës së Johan Cruyff, përpara plot 115.000 spektatorëve. Të vetmen fitore ndaj Bajern në histori, Barcelona e ka arritur 6 vjet më parë pikërisht me Guardiolën në stol kur triumfoi 4-0 ndaj skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klinsman.

Takimi i sotëm do të luhet në orarin e zakonshëm 20:45. Gjyqtar kryesor i këtij takimi do të jetë 43-vjeçari italian Nicola Rizzoli.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?