Teknologjia në transport, testohet në Holandë metoda revolucionare
Një tubacion i çeliktë prej 420 metrash është shtrirë përgjatë hekurudhës ekzistuese në Holandën veriore. Projekti mund të fillojë një epokë të re të transportit të pasagjerëve dhe mallrave. Tubacioni është në epiqendër të punës së Qendrës Evropiane ‘Hyperloop’ që do të shërbejë si pistë për provat e kompanive prodhuese të teknologjive të reja të transportit që po zhvillohen me shpejtësi.
Tubacioni për provat e qendrës ‘Hyperloop’ përbëhet nga 34 seksione të veçanta, secila me diametër prej 2.5 metrash.
Projektuesit kanë besim se do të mundësojnë një formë të re transporti që do t’ia kalojë transportit ekzistues ajror dhe tokësor.
Seksioni i parë i projektit ‘Hyperloop’ u përurua në qytetin holandez Delft në vitin 2017. Projekti që u mbështet fillimisht nga miliarderi Elon Musk, synon futjen në përdorim të vagonëve në formë kapsulash që do të qëndrojnë në ajër falë fushës manjetike dhe do të lëvizin me shpejtësi tepër të mëdha.
“Hyperloop është një sistem transporti për pasagjerë dhe mallra, që funksionon në shpejtësi shumë të larta, deri në 700 km në orë përmes një infrastrukture ku kemi presion të ulët ajri, që zvogëlon fërkimin dhe që kërkon shumë pak energji për të funksionuar”, thotë Sacha Lame, drejtues i Qendrës Evropiane ‘Hyperloop’.
Mbështetësit e projektit thonë se do të jetë shumë më efikas se fluturimet e shkurtra me avionë, se trenat e shpejtësisë së lartë dhe kamionët e transportit të mallrave.
Por që kur zoti Musk e paraqiti këtë koncept për të cilin tha se do të transportonte pasagjerë me shpejtësinë 400 km në orë nga Los Anxhelosi për në San Françisko për vetëm 30 minuta, projekti ka kaluar me ngadalësi nga faza e ideimit drejt botës së vërtetë.
“Mendoj se deri në vitin 2030 do të kemi linjën e parë ‘Hyperloop’, ndoshta prej pesë kilometrash, me transport real të pasagjerëve. Janë duke u bërë përgatitje në fakt për linja të tilla në Itali dhe në Indi”, thotë zoti Lame.
Por jo të gjithë janë optimistë për të ardhmen e projektit ‘Hyperloop’, për shkak të pikëpyetjeve rreth kostos për ndërtimin e sistemit. Zoti Lame thotë skeptikët duhet të vijnë dhe ta shohin nga afër.
“Për shkak të kësaj qendre evropiane që ngritëm, e dimë se mund të konkurojmë me trenat e shpejtësive të mëdha. Dhe këtu nuk përllogaritet ende optimizimi i kostos që mund të arrijmë gjatë dekadës së ardhshme, duke e ulur atë edhe më tej”, thotë zoti Lame.
Kapsula e parë e provës u ndërtua nga kompania pioniere holandeze “Hardt Hyperloop” dhe do të marrë pjesë në testimet e para në këtë qendër, të financuar privatisht, si dhe nga qeveria holandeze dhe Komisioni Evropian.
Një veçori e tubacionit në Veendam është se mund të ndryshojë shinat, duke u ndarë në dy tubacione. Ky do të jetë një funksion jetik kur të zbatohet në praktikë.
“Ndryshimi i shinave është shumë i rëndësishëm pasi mundëson udhëtimin e mjeteve nga çfarëdo origjine, drejt cilitdo destinacioni. Pra krijon realisht një lloj efekti rrjeti, ku ka një autostradë tubacionesh dhe mjetesh që mund të nisen nga çdo platformë, apo që mund të ndërrojnë drejtim për të shkuar në një tjetër pjesë të Evropës, ose në një destinacion të ri”, thotë Marinus van der Mejis, drejtues teknik në kompaninë Hardt.
Ndërsa vazhdon testimi në Veendam, të Holandës, studiuesit shpresojnë se së shpejti do të ofrohen destinacionet për teknologjinë e tyre. Sfida kryesore do të jetë angazhimi i qeverive për të ndërtuar linja të reja dhe gjetja e financimeve të mëtejshme për qendrën e testimit.