Home Rajoni Vuçiç thotë s...

Vuçiç thotë se pret “ofensivë të re” nga Kurti

33
0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se pret një “ofensivë të re” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se kjo “ofensivë” do të përkojë me ofensivën e forcave ukrainase në luftën kundër Rusisë.

Në një intervistë të dhënë për TV Prva, Vuçiç përsëriti pretendimet se aleatët perëndimorë nuk shqetësohen për të drejtat e serbëve në Kosovë. Ai tha se të drejtat e tyre po shkelen, se ata “i janë ekspozuar terrorit” dhe se pjesëtarët e komunitetit serb që janë arrestuar në javët e fundit në Kosovë janë të pafajshëm.

Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe. Që nga 29 maji, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Autoritetet e Kosovës i kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

Të arrestuarit janë identifikuar si: Dushan Obrenoviç, Radosh Petroviç, Milun Millenkoviç-Lune, Dalibor Spasiç, Urosh Vukashinoviç, Nemanja Vlashkoviç, Millan Bozhoviç dhe Slladan Trajkoviç. Të gjithë janë në paraburgim, përveq Petroviçit i cili po mbrohet në liri. Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja. Së fundi, BE-ja ka bërë të ditur edhe për masa ndëshkuese të përkohshme të vendosura ndaj Kosovës. Vuçiç ka përsëritur se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë dhe ka deklaruar se nuk ia kanë dërguar “as edhe një armë të vetme” as Rusisë e as Ukrainës./REL

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit