Home KRYESORE “Zëri i...

“Zëri i Amerikës”: Rrethanat rreth kontrollit të shtëpisë së ish Presidentit Trump ende të paqarta

407
0

Rrethanat rreth kontrollit të shtëpisë së ish Presidentit Trump, nuk janë plotësisht të qarta, por FBI-ja dihej që po hetonte rreth disa kutive me dokumente të klasifikuara, të gjetura në shtëpinë e zotit Trump në Florida, pasi ai ishte larguar nga detyra.

Sipas ligjeve, gjithshka, lista e telefonatave, projekt-fjalimet, fjalimet, shënimet me dorë dhe gjithshka tjetër nga aktiviteti i një presidenti, duhet t’i dërgohet Arkivave Kombëtare për ruajtje pas përfundimit të mandatit.

Çdo dokument presidencial është pronë e qeverisë amerikane dhe ruhet në Arkivat Kombëtare, sipas drejtuesve të arkivit. Ligji për këtë është miratuar në vitin 1978.

Për dokumentet e paklasifikuara, publiku mund të bëjë kërkesa në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, për t’u njohur me to, 5 vjet pasi ato kanë shkuar në arkiva, ndonëse ish presidentët kanë të drejtë të kërkojnë që një pjesë e dokumenteve mos të hapen deri në 12 vjet pas largimit të tyre nga detyra.

Sipas historianëve që studiojnë këto dokumente, pa patur qasje në këto materiale, publiku nuk mund të shikojë të vërtetën, por vetëm të vërtetën që u serviret nga zyrtarët./VOA/

FBI kontroll në pronën e ish presidentit Donald Trump

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump zbuloi dje se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve kishin kontrolluar shtëpinë e tij në Mar-A-Lago të Floridas, që ai e cilësoi si “bastisje”. Rrethanat e operacionit janë ende të paqarta dhe FBI-ja nuk ka bërë komente. Megjithatë, sipas burimeve, operacioni duket se është në kuadër të hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të informacioneve të klasifikuara nga zoti Trump, pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021. Ish-presidenti Trump akuzon demokratët se po shfrytëzojnë FBI-në për ta penguar atë të fitojë një mandat tjetër presidencial më 2024.

Byroja Federale e Hetimeve kontrolloi pronën e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në kuadër të një hetimi nëse ai ka marrë dukumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida, thanë të hënën burime të afërta me këtë çështje.

Ishte vetë zoti Trump që e zbuloi veprimin e FBI-së përmes një deklaratë të gjatë, ku pohoi se agjentët kishin hapur edhe kasafortën e tij, në një operacion që ai e cilësoi si dëshmi të “kohëve të errëta” për Shtetet e Bashkuara.

FBI dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë bërë komente për operacionin e kontrollit, që shënon një përshkallëzim dramatik në hetimet kundër zotit Trump, ndërsa paralelisht po kryhen edhe hetime të tjera rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij u përpoqën menjëherë ta cilësojnë kontrollin si pjesë të një përpjekjeje të drejtuar nga demokratët për ta penguar atë të fitojë një mandat tjetër më 2024, edhe pse Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte njohuri paraprake për operacionin, ndërsa drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, është emëruar nga zoti Trump pesë vjet më parë dhe kishte shërbyer më parë si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë të drejtuar nga republikanët.

“Pas bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, kjo bastitje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”, tha zoti Trump në deklaratën e tij. “Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Asgjë e ngjashme nuk i ka ndodhur më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shtoi zoti Trump.

Të paktën një nga mbështetëset e tij jashtë shtëpisë së ish-presidentit në Florida, përsëriti pretendimin e zotit Trump.

“Administrata e Bidenit dhe demokratët po përdorin FBI-në si armë. Kjo duhet të ndalet. FBI-ja nuk duhet të shfrytëzohet kundër një presidenti tjetër. Nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ajo.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Dena Iverson nuk komentoi rreth kontrollit dhe as nëse Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland e kishte autorizuar atë personalisht.

Departamenti i Drejtësisë po hetonte rreth dokumenteve të klasifikuara që ndodheshin brenda 15 kutive që u morën nga rezidenca Mar-a-Lago dhe u dërguan tek Arkivat Kombëtare në fillim të këtij viti.

“Ka shumë ligje që rregullojnë informacionet e klasifikuara, duke përfshirë një ligj, që e bën keqpërdorimin e tyre një vepër të dënueshme me pesë vite burg. Është krim t’i mbash dokumentet ë një vend të paautorizuar”, thotë gazetarja Michelle Price.

Një ligj tjetër e bën krim keqpërdorimin e të dhënave të klasifikuara me dashje, ose në një mënyrë jashtëzakonisht të pakujdesshme.

“Është e mundur që ish-presidenti të përpiqet të argumentojë se si president, ai ishte autoriteti përfundimtar për deklasifikimin e materialeve”, shton gazetarja Price.

Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballet tani ish presidenti.

Departamenti i Drejtësisë është duke hetuar edhe përpjekjet e aleatëve të zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Departamenti nuk ka njoftuar nëse do të kërkojë ngritjen e akuzave penale kundër ish presidentit në atë hetim.

Ndërkohë, një prokuror qarku në Fulton të Xhorxhias ka hapur një tjetër rast ndaj ish presidentit, nëse ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ndërhynë tek zyrtarët zgjedhorë të këtij shteti për të përmbysur rezultatin. Zgjedhjet në Xhorxhia u fituan nga demokrati Joe Biden.

 

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit