Home Aktualitet 1 Qershori, f...

1 Qershori, festa e bekuar e engjëjve tanë që ne i pagëzuam me emrin fëmijë

149
0

Nga: Gentiana Nishica Malaj

Kjo ditë e parë e verës ka zënë me plot të drejtë e meritë një vend të merituar në kalendarin e botës. E kush tjetër më shumë se fëmijët, këta engjëj të bardhë, të mrekullueshëm e të pamëkat, që e zbukurojnë dhe lumturojnë kaq shumë jetën tonë e më në fund i japin kuptimin më të vërtetë e sublim asaj, kush pra më tepër se fëmijët meritojnë të kenë një festë të tyren, të njohur botërisht e të respektuar nga mbarë kombet e planetit.

Fëmijët janë jo vetëm dhurata më e mrekullueshme e Zotit e burimi ynë i pashtershëm e i patjetërsueshëm i gëzimit e i lumturisë, por më shumë se kaq janë e ardhmja e vetë shoqërisë njerëzore, pa të cilët mbijetesa e saj do të ishte jo vetëm e pamundur, por edhe e pakuptimtë në sensin human e filozofik të saj.

Sot, për ne prindërit është një moment gëzimi e pse jo edhe një çast i një reflektimi të thellë. Në radhë të parë duhet të ndërgjegjësohemi se fëmijët tanë janë pikësëpari dhuratë e Krijuesit të Gjithësisë e nga kjo e vërtetë themelore e sanksionuar jo vetëm në Librat e Shenjtë, por e stampuar thellë në genin e racës njerëzore nuk na lejohet kurrsesi të hiqemi si “pronarë” ,“padronë” apo “tutorë” të tyre. Nëse i përmbahemi sentencës se jemi të gjithë bij të të Lartit Zot, atëherë duhet të kuptojmë se fëmijët lindin me disa të drejta hyjnore të cilat na detyrojnë ne prindërit e tyre, familjet e shtetin që t’i respektojmë e mbrojmë me çdo çmim.

Fëmijët lindin me të drejtën e padhunueshme për jetën, pronën e trashëguar, të drejtën për t’u ushqyer e shkolluar, të drejtën për përkujdes shëndetësor e edukim të shëndoshë. Nuk është momenti për t’u ndalur gjatë në këtë ditë gëzimi tek problematikat e shumta me të cilat ballafaqohen sot miliona fëmijë në mbarë botën, të cilët janë viktima të urisë, sëmundjeve, trafiqeve, luftërave, pamundësisë për t’u shkolluar etj. Bota është ndërgjegjësuar në këtë gjysmëshekulli, por megjithëse në kuadër të OKB-së vepron një organizatë e përbotshme si UNICEF-i dhe të drejtat e fëmijëve janë sanksionuar në Kartën e OKB-së të vitit 1948, në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në kushtetutat e mbi 200 shteteve, kjo nuk është e mjaftueshme.

Jo më kot shenjtorja shqiptare Nënë Tereza ka thënë: “Uria për dashuri është më e madhe se uria për bukë.” Është detyrë e ne prindërve që t’u japim fëmijëve dashuri pa kushte, ashtu siç na dhanë ne prindërit tanë të mrekullueshëm.

Fëmijët janë krijesa më e mrekullueshme e botës. Kur në mbarim të Luftës së Dytë Botërore shkencëtarja me famë botërore, francezja Iren Kyri po udhëtonte drejt Stokholmit për të marrë çmimin “Nobel” (ishte i katërti i kësaj familje perandorake të shkencës, dy herë e kishte marrë Maria nëna e saj e një herë babai Pjer Kyri), një gazetar e pyeti: “Zonja Kyri a jeni e lumtur që do laureoheni me çmimin Nobel?”. Shkencëtarja gjeniale ledhatoi me dorën e djathtë barkun e fryrë ku pulsonte fëmija i saj e tha fjalët profetike: “Nobeli im është këtu!”

Gëzuar festën e fëmijëve! Ata janë e ardhmja e meritojnë shumë më tepër se festën e një dite!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit