Arrestohet 51-vjeçari në kryeqytet, shiste dhe shpërndante kokainë
Një 51-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, pasi dyshohet se merrej me shitjen e kokainës dhe furnizimin e personave të tjerë të përfshirë në shpërndarje.
Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar në kuadër të aksionit të koduar “Zonat”, i cili synon goditjen e rrjeteve kriminale që merren me narkotikët në Tiranë. Në këtë fazë të dytë të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. B., 51 vjeç.
I dyshuari është lokalizuar dhe ndaluar në një lokal në zonën e Freskut, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një pune hetimore të mirëorganizuar. Gjatë kontrollit fizik dhe të sendeve që ai kishte me vete, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 811 gramësh lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kjo sasi droge do të ndahej në doza më të vogla dhe do t’u shpërndahej personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin e shitjes në zona të ndryshme të kryeqytetit. Policia bën me dije se 51-vjeçari kishte rol furnizuesi në këtë rrjet.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të identifikuar dhe kapur persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të dokumentuar plotësisht skemën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë, bëhet me dije se faza e parë e operacionit “Zonat” ishte finalizuar një ditë më parë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë kokainë dhe u arrestua një tjetër shtetas i dyshuar për posedim dhe shpërndarje të drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

