”Po, e bëra”, ish-këshilltari i Trump pranon fajin për dosjet sekrete
”Po e bëra”, tha ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, i cili ka pranuar fajësinë për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara që lidhen me shënimet e tij të përdorura për librin autobiografik. Bolton i cili është kthyer në një nga kritikët më të zëshëm të Trump, ishte paditur me 18 akuza për trajtim të papërshtatshëm të informacionit të klasifikuar dhe fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm.
Ai pranoi fajësinë për një akuzë të vetme që lidhet me ruajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar. Dokumentet përfshinin shënime personale me informacione që preknin sigurinë kombëtare të SHBA-së, disa prej tyre të klasifikuara në nivelin “Top Secret”. Sipas prokurorëve, Bolton përballet me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg dhe ka pranuar të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh.
Bolton do të bashkëpunojë me autoritetet amerikane, duke informuar zyrtarët e sigurisë kombëtare për materialet e klasifikuara që kishte mbajtur dhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet. Gjatë seancës gjyqësore, pasi gjyqtari lexoi akuzat, përfshirë pretendimet se Bolton kishte dërguar shënime me informacione të ndjeshme anëtarëve të familjes së tij, ai pranoi se faktet ishin të sakta. Mediat amerikane raportojnë se ai do të dënohet më 28 tetor. Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Donald Trump në vitin 2019.
KOHA JONË SONDAZH

