Dugarry flet për Zidane: Nuk e imagjinoja trajner, por fusha ia riktheu pasionin!
Christophe Dugarry, një nga miqtë më të ngushtë të Zinedine Zidane që prej vitit 1992, ka folur për emërimin e legjendës franceze në krye të kombëtares së Francës, duke zbuluar disa detaje interesante për rrugëtimin e tij si trajner. Në një intervistë për L’Équipe, ish-sulmuesi pranoi se në fillim nuk e kishte menduar kurrë Zidane në pankinë.
“E kuptova se do të bëhej trajner vetëm kur ndodhi vërtet. Mund të duket e çuditshme, por më parë nuk e imagjinoja në atë rol. Isha i bindur se do të mbetej në futboll, por e shihja si president, pronar, aksioner ose drejtues, jo si trajner”, u shpreh Dugarry.
Sipas ish-kampionit të botës me Francën në vitin 1998, ishte puna e përditshme në fushë ajo që ia riktheu Zidane pasionin për futbollin.
“Ndoshta është aroma e barit që i jep atë ndjesi. Ai zgjohet shumë herët dhe, kur drejtonte ekipin Castilla të Real Madridit, më tregonte vazhdimisht se sa shumë i pëlqente të ishte në fushë me djemtë. Përgatitja e stërvitjeve, puna me stafin, vendosja e konëve dhe kontakti me topin e entuziazmonin. Ai e jetonte gjithçka me shumë intensitet”, tha Dugarry.
Ish-futbollisti francez theksoi se, pavarësisht karakterit të rezervuar të Zidane, eksperienca si trajner i riktheu emocionet që kishte përjetuar gjatë karrierës si lojtar.
“Kur e pashë të punonte me të rinjtë e Real Madridit, kuptova se kishte rigjetur të njëjtat ndjesi që kishte kur luante futboll. Ky profesion i riktheu adrenalinën që dukej se e kishte humbur”, përfundoi Dugarry.
KOHA JONË SONDAZH

