Ermal Beqiraj drejt ekstradimit në Shqipëri, mediat franceze: Procedurat mund të zgjasin disa javë
Rasti i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiraj ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze pas arrestimit të tij në Francë, ku u ndalua për shkak të fluturimit me një avion të lehtë mbi zonën e centralit bërthamor Penly, në Normandi.
Sipas raportimeve të mediave franceze, autoritetet shqiptare kanë paraqitur kërkesën për ekstradimin e Beqirajt, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të zhvillimit të procedurave ligjore. Procesi, sipas autoriteteve franceze, nuk pritet të përfundojë menjëherë dhe mund të zgjasë disa javë.
Beqiraj u arrestua në aeroportin Albert, në veri të Francës, pasi dyshohet se ka kaluar me avion të vogël mbi centralin bërthamor Penly, një zonë me rëndësi të veçantë për Francën, ku qeveria ka planifikuar ndërtimin e reaktorëve të rinj të teknologjisë EPR2.
Për këtë incident, biznesmeni shqiptar u përball me drejtësinë franceze përmes një procedure të përshpejtuar në gjykatën e Amiens. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, ai mbeti në paraburgim për shkak të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradim.
Mediat franceze kanë raportuar gjithashtu për hetimin që po zhvillon SPAK në Shqipëri ndaj Beqirajt, ku ai dyshohet për përfshirje në një çështje korrupsioni që lidhet me tendera me vlerë miliona euro. Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj tij është lëshuar urdhër arresti për akuza që lidhen me mashtrimin e organizuar.
Në shkrimet e tyre, mediat franceze i referohen edhe hetimeve për pasuritë e biznesmenit, të cilat dyshohet se mund të kenë prejardhje kriminale. Sipas të dhënave të SPAK, janë evidentuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion turistik, automjete dhe një pronë luksoze në departamentin e Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
Ndërkohë, autoritetet franceze dhe ato shqiptare kanë nisur bashkëpunimin për procedurat e sekuestrimit të pasurive të identifikuara. Vendimi për ekstradimin e Beqirajt pritet të merret pas përfundimit të hapave ligjorë nga institucionet franceze.
KOHA JONË SONDAZH

