Aksident i rëndë në Kosovë pranë kufirit me Shqipërinë, 7 të plagosur
Shtatë persona kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti rrugor të regjistruar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtim të pikës kufitare me Shqipërinë.
Sipas Policisë së Kosovës, në përplasjen rrugore janë përfshirë tre automjete, ndërsa personat e lënduar janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se në të njëjtin segment të autostradës janë shënuar edhe dy aksidente të tjera, të ndara nga njëra-tjetra me një distancë prej rreth 500 metrash.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë kryer ndërhyrjen e parë dhe kanë asistuar të dëmtuarit.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidenteve. Policia u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
KOHA JONË SONDAZH

