“E nxitoi Rama”, protestuesja pas deklaratës së Alabarit: Do të fundoset edhe kjo qeveri e korruptuar
Një protestuese që mori fjalën në protestën e 65-të kundër qeverisë, bëri thirrje për anulimin e projektit të debatueshëm të qeverisë, duke e cilësuar procesin të paqartë dhe pa konsultimin e duhur me qytetarët. Sipas saj, pavarësisht rekomandimeve të Bashkimit Evropian për rishikimin e legjislacionit që lidhet me mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe akte të tjera, qeveria ka zgjedhur të ecë përpara me projektin.
Në fjalën e saj, protestuesja iu referua edhe deklaratës së Mohamed Alabbar, i cili kishte pranuar se ishte nxituar në lidhje me projektin e Portit të Durrësit. Ajo pretendoi se nxitimi ka ardhur si pasojë e presionit të qeverisë shqiptare.
“Anulo projektin është thirrja e këtij sheshi. Dëgjuam Alabbar që tha se me Portin e Durrësit jam nxituar. Por pse, more zotëri? Apo ju nxitoi ky kryeministër dhe kjo administratë që nuk ka seriozitetin për të nisur një projekt me konsultimet e duhura, duke folur me shqiptarët. Kjo vjen nga mungesa e transparencës”, deklaroi ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, protestuesja kritikoi edhe projektin e Portit të Durrësit, duke përdorur një krahasim simbolik për të akuzuar qeverinë për korrupsion. “Objektet po zhyten dhe kështu do të zhyten edhe objektet korruptive të qeverisë”, u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

