Emergjenca nga zjarret vijon/ 12 vatra të regjistruara, 4 ende problematike
Sipas përditësimit operacional të publikuar më 29 gusht 2026, në orën 14:00, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë regjistruar gjithsej 12 vatra zjarri. Nga këto, katër vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse për të parandaluar riaktivizimin e tyre.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar forca të shumta në terren. Në operacionet e shuarjes marrin pjesë 214 efektivë operacionalë, 6 mjete zjarrfikëse, 75 ushtarakë të Forcave të Armatosura, si dhe 3 helikopterë që po mbështesin ndërhyrjet nga ajri në zonat më të vështira.
Një nga vatrat më problematike mbetet ajo në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës përballë Farkës, ku gjatë orëve të fundit janë shënuar riaktivizime të flakëve dhe zgjerim i frontit të zjarrit. Në këtë zonë po punojnë 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të mbështetur nga 20 ushtarakë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë që kryejnë ndërhyrje të vazhdueshme.
Operacionet vijojnë edhe në Vajkal të Bulqizës, ku situata po ndiqet nga afër me ndihmën e një helikopteri, 30 efektivëve të Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse, strukturave pyjore dhe banorëve vullnetarë që janë bashkuar në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Ndërkohë, aktive mbeten edhe vatrat në Qafë të Helmës dhe në Sllatinë të Dibrës. Në Qafë të Helmës zjarri është nën kontroll dhe monitorohet vazhdimisht, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Në Sllatinë janë angazhuar 78 forca nga shërbimi zjarrfikës, strukturat pyjore, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, bashkia dhe vullnetarët për të mbajtur situatën nën kontroll.
Autoritetet bëjnë me dije se vatrat në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë izoluar ose mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezikuar banesat. Ndërkohë, zjarri i raportuar në zonën e Delisufit, në Vlorë, është shuar plotësisht, pasi kishte përfshirë rreth dy hektarë sipërfaqe me shkurre.
KOHA JONË SONDAZH

