Buxheti i qytetit të Tiranës

Nga Halil Rama

Dokumenti më i rëndësishëm i vitit, projektbuxheti i bashkisë Tiranë për vitin 2018 është konsultuar gjerësisht me një masë të gjerë qytetarësh. Për mëse një muaj, dëgjesat publike të fokusuara te konsultimi qytetar i projektbuxhetit, u zhvilluan me përgjegjësi dhe trasparencë të plotë, jo vetëm në 11 Njësitë Administrative të qytetit të Tiranës (ish-Njësitë Bashkiake) por dhe në 13 Njësitë ish-komuna, deri në skajet më të largëta të Bashkisë, si Zall Bastar, Shëngjergj, Krrabë, Pezë e Ndroq.

Në nisje të këtij procesi, ishte vetë kryetari i Bashkisë, Z.Erion Veliaj që deklaroi se projektbuxheti i vitit 2018 për bashkinë e Tiranës është 15% më i lartë se ai i një viti më parë dhe gati 3 herë më i lartë se buxheti i vitit 2014. Ballafaquar me progresin jashtëzakonisht të dukshëm të shënuar në këto dy vitet e fundit të qeverisjes së Tiranës nga krybashkiaku Veliaj, kjo rritje e buxhetit për vitin e ardhshëm është mirëpritur dhe ka ngjallur një frymë të re mirëbesimi tek qytetarët, për një zhvillim të ri të vrullshëm të metropolit shqiptar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Falë performancës së mirë dhe vullnetit për t’i trajtuar të gjithë qytetarët të barabartë, kryebashkiaku Veliaj ka bërë të ditur se në Tiranë, në një vit, u investua për aq sa nuk ishin bërë në 4 vite të marra së bashku. Kjo si rrjedhojë e rritjes së buxhetit, edhe investimet që do të prekin Tiranën do të rriten me të njëjtin rritëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për t’i paraprirë miratimit të Projektbuxhetit të vitit 2018 në Këshillin Bashkiak, bashkia vijoi dëgjesat publike në të gjitha njësitë administrative, duke evidentuar arritjet dhe duke u ndalur në zërat specifikë të këtij projektbuxheti për secilën njësi. Të mirëmenaxhuara nga Drejtori i Përgjithshëm i linjës që përfshin Administrimin e Njësive Administrative, Z.Erindi Bejko, në këto dëgjesa morën pjesë, administratorët e njësive, ndërlidhësit me komunitetin, kryetarë fshatrash dhe qytetarë të shumtë, (të njoftuar publikisht me njoftime zyrtare në mjediset publike, por edhe në media), ku shprehën dhe problematikat e tyre, duke filluar nga problemet në infrastrukturën rugore e social-kulturore, sistemin vaditës, në bujqësi me ujin e pijshëm etj. Drejtori i Përgjithshëm, Bejko, në të gjitha dëgjesat publike ka bërë të qartë për qytetarët se në këtë projekt buxhet, problemet më të mëdha do kenë përparësi, sidomos ato probleme me kosto më të lartë, por dhe ato më të prekshmet për qytetarët. Me kompetencë e profesionalizëm, gjatë dëgjesave në 24 Njësitë Administrative për projektbuxhetin e Bashkisë Tiranë të vitit 2018, Z.Bejko ka prezantuar një dokument i cili përcakton linjat e zhvillimit të kryeqytetit dhe të 13 Njësive Administrative ish-komuna, duke ndjekur prioritetet strategjike. Ndërkohë është synuar që vetë qytetarët pjesëmarrës në debatin masiv gjatë këtyre dëgjesave publike të krijojnë qartësinë se ky projektbuxhet mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të Tiranës, nxit punësimin dhe shpirtin e sipërmarrjes dhe financon mekanizma për t’u dhënë përgjigje problematikave sociale të shtresave në nevojë dhe atyre të margjinalizuara. Kjo, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të DPOBANJAEC, Bejko edhe për faktin se ky projektbuxhet ka vijimësi logjike, programore dhe financiare.

Parë në këndvështrimin e domosdoshmërisë së investimeve publike në përputhje me specifikat e çdo njësie administrative, ky projektbuxhet është i rëndësishëm sepse përfaqëson një planifikim koherent, me vizionin e ofrimit të zgjidhjeve tërësore, duke shënuar kështu një rritje cilësore shumë të madhe në mirëmenaxhimin financiar dhe vendosjen e objektivave të integruara për qytetarët e Tiranës.

Gjatë dëgjesave publike, është konstatuar tendenca e nxitjes së transparencës në nivelin lokal, për të garantuar kështu mirëqeverisjen e Bashkisë së Tiranës në 24 Njësitë e saj Administrative, nga qendra e metropolit deri në skajin më të largët.

Gjithashtu u dëgjuan dhe ankesat e banorëve në të gjitha njësitë administrative të cilat konsistonin në probleme të ndryshme, sociale, ekonomike dhe vështirësitë që qytetarët hasin në përditshmërinë e tyre, për t’i reflektuar më pas ato në projektin final që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak. Nga kjo optikë, ky projektbuxhet, siç e ka cilësuar edhe kryebashkiaku Veliaj do të jetë më i madhi në historinë e Tiranës.

Ndërkohë, me po atë përgjegjësi e përkushtim që u organizuan dëgjesat për projektbuxhetin, nga Bashkia e Tiranës dhe veçanërisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile, u mirëmenaxhua edhe situata kritike e krijuar nga shirat e rrëmbyeshëm të fundnëntorit dhe fillimdhjetorit të këtij viti. Investimet e kryera në Lumin e Tiranës, të Lanës dhe në zonat tjera bënë që për herë të parë Tirana të mos përjetonte ankthin e dikurshëm të përmbytjes së banesave e institucioneve, ndërkohë që pothuajse e gjithë administrata e bashkisë u gjend pranë qytetarëvë në nevojë.

Rritjen e vëmendjes së qytetarëve për këtë konsultim kaq të gjerë e transparent të projektbuxetit të vitit 2018 e rriti edhe lajmi i bujshëm, se pikërisht kur po zhvilloheshin dëgjesat publike, Bashkia e Tiranës fitoi çmimin e trasparencës, pas një raporti të përpiluar mbi zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, mbështetur nga Fondacioni Olof Palme dhe qeveria suedeze.

Ky tregues tejet sinjifikativ rrit besueshmërinë e qytetarëve për realizimin e një buxheti 15 përqind më të lartë se ai i vitit që po mbyllet, rritje kjo që vjen si rrjedhojë e performancës së shkëlqyer në mbledhjen e taksave dhe tarifave, por kryesisht në zgjerimin e bazës së taksapaguesve, duke i dhënë fund fenomenit të trashëguar nga më parë, ku edhe në bashkinë e Tiranës, disa paguanin dhe disa jo. Edhe në këto dëgjesa u bë e qartë se si rrjedhojë e rritjes së buxhetit, edhe investimet që do të prekin Tiranën do të rriten me të njëjtin ritëm.

Duke u fokusuar tek infrastruktura shkollore, ku këtë vit vëmendja iu kushtua kryesisht çerdheve dhe kopshteve, si dhe këndeve të lojërave, gjatë 2018 vëmendja do të fokusohet tërësisht te shkollat. Kështu, nëse këtë vit u ndërtuan 4 shkolla të reja në disa zona që kishin nevojë të “shfryheshin” nga fluksi i madh, si në Kombinat me shkollën “Betim Muço”, në zonën e Pazarit të Ri “Hoxha Tahsin”, në zonën e Bregut të Lumit, “Ardian Klosi” dhe shkolla “Kosova”, tek njësia 2 që është në ndërtim, në projektbuxhetin e vitit 2018 parashikohet ndërtimi i 19 shkollave të reja.

Për bashkinë e Tiranës, 2018-ta është vit i investimeve tërësore edhe në zona preferenciale, siç konsiderohen Kodra e Diellit, Astir apo te Fresku, si dhe pothuajse në të gjitha fshatrat.

Dhe padyshim, në këtë buxhet historik janë parashikuar edhe projektet madhore që ndonëse nuk prekin të gjitha njësitë në territor, ndikojnë tek gjithë qytetarët. Të tillë janë vijimi i projektit të Bulevardit të Ri, ai për rehabilitimin e lumit Lana në dy anët e tij, ndërtimi i terminaleve të autobusëve, të cilat do të ndikojnë direkt në trafikun e çdo njësie, rikonstruksioni dhe vënia në punë e Piramidës, si një qendër që do i shërbejë më shumë kulturë dhe rinisë, etj.

Pikërisht edhe tek këto projekte madhore konsiston rëndësia historike e projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2018, dhe si i tillë duhet konsideruar edhe nga anëtarët e Këshillti Bashkiak në seancën për miratimin e tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?