Del në qarkullim libri “100 vrasjet më të bujshme në Shqipëri” nga gazetari Qafoku
Del në qarkullim libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (1912-2017)” të gazetarit dhe studiuesit Roland Qafoku. E lajmëruar pak kohë më parë, libri është bërë mundur të dalë dje në qarkullim. Tashmë lexuesit do të kenë në dorë një libër që për natyrën e tij publikohet për herë të parë në Shqipëri.
Janë 100 vrasje që kanë ndodhur përgjatë 105 viteve të shtetit shqiptar, të seleksionuara mbi bazën e dy kritereve kryesore që janë rëndësia e personit të vrarë dhe buja e madhe që ka shkaktuar kjo vrasje në opinionin publik. Personazhet e vrarë janë politikanë, ushtarakë, zyrtarë, deputetë, ministra, kryeministra, por edhe figura të jetës publike, personazhe të drejtësisë, mësues, gazetarë, e deri personazhe të botës së krimit.
Çdo vrasje është e shoqëruar me të dhëna, detaje, fakte, dokumente, mistere dhe fotografi që vijnë për herë të parë. Të gjitha fabulat e vrasjeve trajtohen jo thjesht si histori por edhe në aspektin analitik. E veçanta është se shumica e vrasjeve shoqërohen me skica të momentit kur ka ndodhur vrasja me autor piktorin e njohur Gjergj Diko.
Edhe ky është një element që vjen për herë të parë në një botim shqiptar. Libri ka një faqosje mjaft specifike që i shkon vetën natyrës së këtij libri të dizenjuar me shumë mjeshtri nga Rudin Janku. Libri është redaktuar në aspektin historik nga historiani i njohur Dorian Koçi dhe atë gjyhësor nga pedagogu i Universitetit të Tiranës Ardian Doka. Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi dhe njohësi shumë i mirë dhe polemisti i historisë Artan Lame.
Duhet thënë se Roland Qafoku është nga gazetarët me përvojë të gjatë në Shqipëri që ka punuar në sektorin e kronikës së zezë. Ai ka ndjekur dhe ka raportuar për disa disa gazeta për shumë vrasje pas vitit 1990 por ka sjellë për publikun shqiptar edhe investigime për vrasje të vjetra që pak njihen për opinionin.
Libri është studimor dhe i mbështetur në referenca të shumë librave shqiptarë dhe të huaj por edhe të dokumentave arkivorë në arkivat shiptare dhe të huaja.
Një shtyllë e rëndësishem e librit është se për çdo vrasje gazetari Qafoku ka arritur të bisedojë dhe intervistojë me dhjetra të afërm, miq, pasardhës dhe njohës të viktimave apo edhe të autorëve të vrasjeve. Ky është libri i dytë i gazetarit Roland Qafoku. Në nëntor të vitit 2015, ai botoi librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama”, i cili u vlerësua shumë nga kritika duke sjellë edhe ribotimin e tij./Ora News/

