Erion Veliaj vazhdon punën me pemët dhe gjelbërimin
Erion Veliaj nuk ndalon. Vijon projekti për Pyllin Orbital, mbillen edhe 150 pemë të tjera në zonën e Liqenit të Thatë
Nga një hapësirë që dikur përdorej si vend grumbullimi mbetjesh urbane dhe inertesh, zona para digës së Liqenit të Thatë, po merr formën e një pylli të vogël. Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së parqeve dhe Rekreacionit, në zbatim edhe të projektit të Pyllit Orbital, vijoi me mbjelljen 150 pemëve të tjera në këtë hapësirë, falë edhe kontributit të donatorëve privatë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi faktin që pjesë e këtij aksioni të madh janë bërë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe sipërmarrës e individë privatë.
“Po përqafojmë unazën jugore, pra po ndjekim gjithë gjurmën e unazës për t’u siguruar që i gjelbërojmë të dyja anët; edhe anën e liqenit, që në fakt pjesën më të madhe e bëmë vjet, edhe anën e Liqenit të Thatë, që po e bëjmë sivjet. Sigurisht, Pylli Orbital është një projekt gjigand, ndoshta do të vazhdojë edhe pas nesh në bashki, por ama duhet të fillojmë sot. Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte dje, koha e dytë më e mirë është kjo e sotmja. Kështu që, më vjen mirë që me këto 150 pemë, po gjelbërojmë një djerrinë që dikur ishte një pikë inertesh”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Ai theksoi se synimi afatshkurtër i Bashkisë së Tiranës është që fillimisht me ritmin e nisur të vijojë mbjellja e pemëve në gjithë pjesën jugore të Unazës së madhe për të mbërritur deri në zonën e Liqenit të Farkës, ku gjithashtu po vijon gjelbërimi dhe pyllëzimi i zonës.
Për këtë qëllim, ai u bëri thirrje sërisht të gjitha bizneseve apo edhe individëve të ndryshëm që të dhurojnë pemë dhe të kontribuojnë për një qytet më të mirë nesër.
“Dua t’i ftoj kompanitë që të bëhen pjesë e kësaj nisme solidariteti, e këtij koalicioni të gjelbër, për t’u siguruar që ecim në ambicien tonë për të pasur mbi 100 mijë pemë këtë vit dhe sigurisht, me ambicien gjigande të Pyllit Orbital që rrethon Tiranën me 2 milionë pemë. Unë besoj se çdo gjë fillon me hapa të vegjël. Në fund do të kemi mundësinë të kthejmë kokën mbrapa dhe të shikojmë se sa mijëra pemë u mbollën nga kjo gjeneratë, për t’ia lënë si pajë gjeneratës tjetër. I ftoj të gjitha kompanitë, nxitoni, nëse po bëni buxhetet e vitit tjetër, ju lutem buxhetoni pemë. Për bashkinë kjo është e vetmja ndihmë afatgjatë dhe që realisht ia vlen dhe që gjithë qyteti ju është mirënjohës”, deklaroi Veliaj.

