I hyri në banesë për ta vjedhur, merret vendimi për italianin që vrau hajdutin shqiptar
ITALI – Gjykata e Milanos ka hedhur poshtë akuzën si vrasje e qëllimshme ndaj italianit Francesko Sicignano, i cili më 20 tetor 2015 qëlloi për vdekje me armë zjarri shqiptarin 22 vjeçar Gjergj Gjoni. Ky i fundit u fut për t’i grabitur banesën.
Kryetarja e trupit gjykues Teresa De Pascale, tha se 65 vjeçari italian reagoi për mbrojtje legjitime duke qëlluar të huajin që i hyri në banesë.
Muaj më parë kjo kërkesë e Prokurorisë së Milanos u kundërshtua nga familjarët e 22 vjeçarit shqiptar, sipas të cilëve djali i tyre është qëlluar jashtë mureve të shtëpisë.
Sipas ligjit italian, nëse personi goditet brenda banesës nga pronari me një armë me leje quhet vetëmbrojtjeje e nuk dënohet. Në rast të kundërt akuza është vrasje e qëllimshme.
Por sipas hetimeve u vërtetua se 22 vjeçari shqiptar u qëllua në kuzhinë e madje ka tentuar të largohet nga banesa duke u tërhequr zvarrë deri në shkallët e jashtme të vilës. /BW

