Komisioni i Prokurimeve, Kadiu akuzon për korrupsion e paaftësi: Të zgjidhen anëtarë të rinj
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka denoncuar në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave korrupsionin dhe paaftësinë e anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Duke paraqitur fakte, Kadiu ka theksuar se anëtarët aktualë të këtij komisioni kanë treguar me punën e tyre se janë të përfshirë në afera korruptive.
Më pas, Kadiu ka publikuar qëndrimin e saj edhe nëpërmjet një statusi në “Facebook” në një kohë kur Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka marrë për shqyrtim emërimin e anëtarëve të rinj të këtij komisioni, por në garë marrin pjesë po anëtarët ekzistues.
Ajo ka kërkuar shqyrtimin e punës së bërë nga këta anëtarë dhe hapjen e rrugës për shqyrtimin e kandidaturave të reja.
Statusi i plotë në Facebook i deputetes Kadiu:
Sot komisioni i Ekonomisë dhe Financave mori në shqyrtim kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.
Sigurisht që një pjesë e kandidatëve janë aktualisht pjesë e Komisionit.
Por nëse jemi në momentin e shqyrtimit të kandidaturave të anëtarëve ekzistues, duhet t’i referohemi punës së tyre në këtë entitet.
Referuar një Vendimi të këtij Komisioni nr. 634 shikohet, në rastin më të mirë, paaftësia e tyre për të kontrolluar prokurimet publike të vendit.
Brenda të njëjtit vendim, dhe këtu i referohem ankimit të bërë të dy operatoreve ekonomikë të cilët kundërshtuan vendimin “Për Furnizimin e shërbimit të Lavanderisë së Spitalit Rajonal Durrës”, një prokurim ky me një fond prej 166 milion lekësh.
Korrupsioni dhe paaftësia e këtij institucioni duhet patjetër të marrë fund.
Minimalisht i ftova të gjithë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të skualifikojnë anëtarët aktualë të KPP-së, duke i faktuar me fakte konkrete paaftësinë e tyre apo korrupsionin dhe duke i hapur rrugën kandidaturave të reja të cilat mund ta ushtrojnë funksionin e tyre me më shumë përgjegjësi.

