Korrupsioni, virusi prehistorik modern
Nga Bledi Dervishaj
Nëse një virus hyn në trupin e një njeriu apo çdo organizmi tjetër të gjallë, vihet re se kjo qenie fillon të shfaqë simptoma të cilat nuk janë shfaqur më parë. Një nga këto simptoma është dobësia që krijohet në lidhje me faktorë të jashtëm të përditshëm. Prandaj për këto viruse, sidomos kur sulmojnë njeriun, fillojnë në mbarë botën të ngrihen organizata për të gjetur medikamentin e duhur për ta mposhtur këtë virus. Për fat të mirë, zhvillimi i teknologjisë po ecën me ritme mjaft të shpejta, duke bërë më të sigurt jetët tona. Por nga ana tjetër mjekësia dhe teknologjia po përballen me dy sfida që kanë ardhur si pasojë e kësaj rrjedhe të ngjarjeve.
E para ka të bëjë me imunitetin që këto viruse krijojnë nga sulmi i vazhdueshëm me të njëjtin medikament apo antivirus. Është njësoj sikur të na jepej çdo ditë i njëjti ekuacion matematikor, i cili sado i vështirë apo i ndërlikuar të jetë, do të vijë një ditë që do ta zgjidhim mjaft lehtë, pasi do të mësohemi me të. Në këtë rast organizatat fillojnë të ristudiojnë virusin, duke vënë lupën mbi përmirësimin gjenetik të tij dhe njëkohësisht duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje të reja. Duke vazhduar kështu një cikël të mbyllur që vazhdon.
E dyta lidhet me krijimin e viruseve të reja nga vetë njerëzit. Shumëkush e mendon, madje shumë janë të bindur për faktin se ka individë që e krijojnë vetë virusin dhe njëkohësisht antivirusin. Pse?! Shumë e thjeshtë. Pasi “nxjerrin në treg” virusin, ky i fundit fillon të përhapet me shpejtësi nga një individ në tjetrin duke u bërë tashmë një virus “i famshëm”. Në rastin kur këto viruse janë natyrore, organizatave u nevojitet kohë që të gjejnë antivirusin. Në këtë rast koha nuk është e nevojshme. Antivirusi është gati. Gati për të filluar shitjet dhe të përfitohen para. Para të cilat këmbehen me shëndetin dhe shpesh herë jetën e qenieve të gjalla.
Duket sikur deri tani është folur për një realitet paralel imagjinar, por nuk është kështu. Duket sikur kemi folur për një temë specifike, dhe nuk ka të bëj me asgjë tjetër. Ndoshta. Por mjafton shumë pak që historinë e virusit ta përkthejmë në një histori më të prekshme nga ne, një histori që e përjetojmë çdo ditë, një histori që një pjesë e jona nuk arrin ta shohë, siç nuk arrin të preket nga virusi, por kjo nuk do të thotë që nuk ka viruse. Të paktën këtë gjë e dimë të gjithë. Mjafton shumë pak, vetëm një togë fjalësh dhe çdo gjë e shkruar më sipër merr tjetër rrjedhë, edhe pse kuptimi mbetet i njëjtë. Mjafton të ndryshojmë fjalën virus me korrupsion, dhe fjalën organizëm me institucion për të parë një tjetër anë të medaljes.
Korrupsioni është virusi më i fortë dhe më i pamposhtur në gjithë historinë e njerëzimit. Ndoshta kanë evoluar mjetet e korrupsionit, ideja mbetet e njëjtë, e pandryshuar ndër shekuj e shekuj me radhë. Po ashtu si edhe në rastin e virusit, korrupsioni arrin të hyjë në institucionet tona. Pasi i ka shtrirë tentakulat e veta aty, institucioni nuk arrin të funksionojë më si më parë, diçka nuk shkon. Të ardhurat fillojnë të bien ndjeshëm dhe shpenzimet shpesh herë të bëjnë të habitesh, pasi nuk janë aspak në përputhje me objektivat e shoqërisë dhe më pak akoma të përdorura me ekonomicitet, efikasitet dhe efiçense. Shtetet e ndryshme në mbarë botën kanë krijuar institucione të cilat luftojnë këtë virus sa prehistorik aq edhe modern. Këto institucione përpiqen me mjetet e veta për ta luftuar këtë vemje, edhe pse kjo vemje ka krijuar një mburojë mjaft të fortë, pasi për një pjesë të mënyrave me të cilat është sulmuar, ka krijuar imunitet tashmë. Nga ana tjetër institucionet e autorizuara për luftën ndaj korrupsionit vazhdojnë paralelisht me punën e tyre të zhvillohen profesionalisht, të kryejnë trajnime kombëtare e ndërkombëtare. Është një luftë e vazhdueshme ndërmjet asimilimit dhe përdorimit të teknikave të reja nga njëra anë dhe imunitetit që krijon virusi korrupsion nga ana tjetër. Për fat të keq, nga këto institucione është e pamundur ta parandalosh, por limitohen në kurimin e pacientit institucion, edhe pse gjithnjë këto institucione përfundojnë me pasoja të dukshme. Po ashtu si në rastin e virusit, ka edhe një mënyrë tjetër të krijimit të korrupsionit, ajo e prodhuar vetë nga njerëzit. Vetëm se në këtë rast është më keq, kura nuk ekziston. Dhe në këtë kaos të krijuar, i humbur del shteti, të humbur dalim ne që jetojmë aty.
Pika e dobët e institucioneve, e cila duhet theksuar se është mjaft e preferuar nga korrupsioni, janë prokurimet publike. E kush mund të ishte tjetër, kur dihet se lëvizjet e shumave të parave në këtë sektor janë marramendëse. Edhe pse kura e përdorur duke zhvilluar prokurimet në mënyrë elektronike, ndonëse pak avangarde për Shqipërinë, ka vështirësuar rehatinë e zhvillimit të virusit korrupsion, kjo nuk ka qënë e mjaftueshme. Rastet për tu vënë në podium janë rastet e “marrëveshjeve të fshehta”, të cilat zerojnë konkurrencën, dhe i bëjnë procedurat pothuajse fiktive, pasi përfundimi dihet. Këto marrëveshje shpesh herë të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm kundrejt perfeksionizmit që gëzojnë. Gjithashtu duhet përmendur se veçori tjetër e këtyre marrëveshjeve është se ato janë më shumë të aplikueshme në rastet e vlerave të mëdha, të cilat përkojnë shpesh me kontratat sektoriale, ku edhe operatorët janë të limituar, duke krijuar një mini monopol.
Ndoshta në rastin kur vetë natyra e prodhon virusin, ajo që mund të bëjmë është të gjejmë zgjidhjen apo kurën. Ndoshta në rastin kur prodhohet në forma laboratorike, mbetet në dorën apo ndërgjegjen e dikujt, disave apo më shumë. Në rastin e korrupsionit, fajin e kanë të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kush në formë aktive, kush në formë pasive apo dhe thjesht në heshtje apo mosveprim.
Shumë organizma kanë një imunitet të lindur për këto viruset, ashtu si mjaft punonjës punojnë në mënyrë të ndershme duke u përpjekur me përkushtim për arritjen e objektivave institucionale të cilat ndikojnë në objektivat mbarë kombëtare. Prandaj duhet theksuar fakti që jo çdo pjesë e trupit preket nga virusi, ashtu si jo çdo punonjës i institucioneve të infektuara, preket nga korrupsioni.
Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një nga institucionet që i ka shpallur luftë të hapur korrupsionit po bën përpjekjet maksimale në drejtim të përmirësimit profesional të stafit të vet, me çdo lloj mënyre të njohur deri tani, duke tentuar me çdo kusht të parakalojë imunitetin e krijuar nga virusi korrupsion, aq sa në vitet e fundit ngjason më së shumti me një institucion modern perëndimor, sesa me imazhin e zymtë të krijuar në dekadat e kaluara. Rritja e besimit tek ky institucion është mëse e evidentueshme. Mjafton të përmendim se gjatë vitit 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar 660 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme, nga të cilat 318 rezultuan jashtë kompetencave dhe juridiksionit të institucionit. Nga 342 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 209 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigja përkatëse, ndërsa 133 janë në proces verifikimi. Ky numër mjaft i lartë i shkresave drejtuar institucionit të KLSH-së, na bën ne stafit të tij të ndihemi më të përgjegjshëm në punën tonë. Besimi ndaj këtij institucioni është besim ndaj të gjitha shkallëve të këtij institucioni, duke filluar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit deri tek audituesit.
Besimi ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk ka ardhur si pasojë e “politikave moderne” ndërmjet “luftës” në rrjetet sociale, siç jemi mësuar të shohim vitet e fundit në vend, por ka ardhur si pasojë e rezultateve që ka servirur ky institucion në vitet e fundit. Mjafton të përmendim vetëm rezultatet e vitit të fundit, atë 2016, me shifrat e publikuara nga KLSH, për të kuptuar pse sot njerëzit e kanë zhvendosur besimin drejt këtij institucioni. Saktësisht, për vitin 2016 janë konstatuar:
- Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 25,484 milion lekë, afërsisht 188 milion euro .
- Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 46,844 milion lekë, ose afërsisht 346 milion euro, nga e cila: 35,919 milion lekë në fushën e të ardhurave dhe 10,925 milion lekë në fushën e shpenzimeve.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 72,328 milion lekë, ose afërsisht 534 milion euro.
Për sa më sipër, për të metat dhe shkeljet e konstatuara për çdo subjekt të kontrolluar, në bazë të ligjit nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH ka lënë detyra për zbatim, duke njoftuar edhe institucionet apo strukturat përkatëse, si dhe ka bërë publike rezultatet e auditimeve në median e shkruar dhe atë elektronike. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe Kodin e Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 1104 masave disiplinore dhe administrative.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 49 kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë
Pas këtyre shifrave, kuptohet pse-ja e numrit të lartë të ankesave apo letrave të cilat i drejtohen KLSH-së. Në këtë prizëm, me këtë përgjegjësi të marrë mbi supe, punës aktuale e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i bashkangjiten edhe detyra të tjera sublime, ato të një “gjykate popullore”.
KLSH gjithmnjë e më shumë po asimilon praktika evropiane, duke kërkuar me çdo kusht ngritjen e këtij institucioni në të njëjtin nivel me atë të vendeve më të zhvilluara. Gjithsesi, sfida kryesore e Kontrollit të Lartë të Shtetit është lufta ndaj korrupsionit, por deri tani duket se është i vetëm. Duket sikur po lufton kundër një kuçedre mitologjike, që kur i pret kokën, i mbijnë tre të tjera. Kjo s’do të thotë që duhet të dorëzohemi, dhe as që duhet të frikësohemi, madje duhet të shtyhemi që të luftojmë me shumë, deri sa ta kuptojnë të gjithë se me këtë kuçedër mund të fitohet, por për ta bërë këtë, duhet të bashkohemi të gjithë për një qëllim.
*Auditues, Departamenti i Auditimit të IT dhe Investimeve të Huaja.

