Protestë për vdekjen e Florencit, të revoltuar me shtetin: Drejtësi për djalin tonë
Vdekja e 23-vjeçarit, Florenc Beqiraj mbrëmjen e së 22 dhjetorit në një spital në Marsejë të Francës, ka nxitur një revoltë tek mijëra qytetarë. Si asnjëherë më parë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me pankarta dhe qirinj në duar, u mblodhën në një protestë-homazh për të riun që u nda nga jeta në mënyrë enigmatike, duke i kërkuar llogari shtetit dhe ambasadave për heshtjen, për heshtjen që ata e cilësojnë kriminale.
Deri më tani për këtë ngjarje të rëndë, reagim nga institucionet shqiptare ka ardhur vetëm nga Presidenca, ku mësohet se z.Meta është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe franceze, jo vetëm për të sjellë sa më parë trupin e pajetë në Shqipëri, por edhe për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes së tij.
Të mbledhur fillimisht tek “Piramida”, ata kanë kërkuar nga ana e shtetit që të zbardhet e vërteta për rastin e Florenc Beqirajt. Mes folëse, ishte edhe zonja e cila publikoi videon ku u shihnte Florenci në gjendje kome. Ajo tha se një mikeshë e saja që punon doktoreshë në spitalin ku ndërroi jetë i riu shkodran, tha se 23-vjeçari ishte në koma dhe në vdekje klinike por mejkët i hoqën tubat.
”Është e padrejtë, një djalë 23-vjeç ta sillnin në Shqipëri me pranga, por të gjallë. Europa dërgon këtu para për qytetarët tanë. Romët nuk përfitojnë para. Ditmir Bushati duhet të reagojë. Ambasada Franceze duhet të reagojë jo të festojë Krishtlindjet. Të mendojnë si për fëmijët e tyre. Këta janë njerëz si të gjithë ne”, u shpreh aksioneria e platformës “Digitalb”, Valentina Taipi.
Më pas marshimi ka vijuar tek kryeministria, aty ku qytetarët ndezën qirinj për 23-vjeçarin. Duke u drejtuar të revoltuar nga kryeministria, ata i kanë bërë thirrje z.Rama që të ndihmojë familjen e viktimës në Shkodër, e cila nuk ka mundësi të marrë trupin e pajetë të të birit.
“Bëjini thirrje ministrit të jashtë të reagojë sa më shpejt. Ambasada shqiptare në Francë të ketë trup për gjumin letargjik që bën. Ata paguhen me paratë tona. Ambasada franceze këtu në Tiranë duhet të reagojë, jo të festojë krishtlindjen”, tha mes lotëve një prej qytetarëve që kishte dalë në protestë.
“T’i kërkojmë kryeministrit të mos sillet si kryeministër i turistave. Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi. Duhet të vijë trupi i Florencit këtu dhe të zbardhet çështja dhe ata që e kanë vrarë të dalin përpara përgjegjësisë”, tha një tjetër përfaqësues i shoqërisë civile.
Më pas ata zhvilluan edhe një marshim ku u ndalën përpara kryeministrisë për të ndezur qirinj dhe më pas iu drejtuan ambasadës franceze.
(R.SH)
https://www.facebook.com/kohajone/videos/756413534548186/
Protesta për vdekjen e Florencit, reagon ambasada: Presim autopsinë

