10 të armatosur në hotel, biznesmenit Bedinajt i kërkuan 5 mln euro/ Disa nga autorët u përplasën me Policinë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të premteje në një prej hoteleve në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash, shumica prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit.
Biznesmeni Vasil Bedinaj është kërcënuar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat fillimisht kanë kërcënuar me fjalë pronarin e hotelit, ndërsa më pas kanë përdorur edhe armët, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh. Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e autorëve. Gjatë ndjekjes, dy persona, që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje. Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake.
Vasil Bedinaj u filmua në korrik 2024 në Radhimë, Vlorë, duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirat e plazhit. Policia konfirmoi se ndaj tij nisi procedim penal; edhe personi tjetër u procedua për dëmtim të makinës. Më pas, Bedinaj kërkoi ndjesë publikisht dhe tha se ishte pajtuar me personin me të cilin u konfliktua. Ka edhe një incident tjetër të raportuar në korrik 2025, ku ai ndërhyri në një konflikt në një lokal dhe goditi një oficer policie, pasi sipas policisë oficeri ishte konfliktuar fillimisht me një kamarier.
KOHA JONË SONDAZH

