Home Aktualitet Arben Kraja d...

Arben Kraja dhe Altin Dumani marrin dosje të vështira dhe të rrezikshme

91
0

Nga Jonida Halili-

SPAK-u e ka krijuar tashmë fizionominë e tij. E nisi Arben Kraja duke hedhur themelet e betonit special amerikan dhe po e çimenton Altin Dumani, duke e kthyer prokurorinë e posaçme, bashkë me kolegët, një organ drejtësie që po u fut frikën pushtetarëve të lartë, të cilët deri para krijimit të SPAK, as që donin t’ia dinin për prokurorinë.

Por prangat që po kërcasin në duar të fuqishme të politikës, e kanë bërë këtë organ të besueshëm dhe shpresëdhënës në popull.

Arbën Kraja dhe Altin Dumani kanë filluar dhe po hetojnë disa dosje që nxjerrin xixa në qarqet e larta të qeverisë dhe shtetit.

Në të vertetë e drejtë do të ishte që SPAK-ut t’iu krijonin kushte pune. Edhe BKH sepse janë FBI shqiptare. Nëse politika do të ishte e pastër dhe ligjore, dhe e papërzier në afera, duhej që këtyre prokurorëve, gjyqtarëve të posaçëm dhe BKH t’ia dyfishonte pagat mujore. Me pas hajde e shiko nëse do të guxonte zyrtar i shtetit të prekte paratë e taksapaguesve. Dhe krimi do të strukej, pasi krim ka edhe në SHBA. Por jo si në Shqipëri që banditi bëhet deputet!

Sot SPAK nxori njoftimin se “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë po heton në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3 dhe 25, 248, 260 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 287/ gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragari 2 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. 

Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.

Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95, datë 28.07.2023, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë si më poshtë:

1.1. Personi juridik “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k., me Nipt L72031013B, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.

1.2. Personi juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.

1.3. Pasuria e paluajtshme në zotërim të shoqërisë “F.M.O.” sh.p.k, lloji pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 611 m2, me adresë Durrës.

Me ekzekutimin e vendimit nr.95 datë 28.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”- përfundon njoftimi.

Në fakt të dy, Altin Dumani dhe Arben Kraja kanë dosje shumë të nxehta dhe të rrezikshme, por deri më sot nuk jan tutur përballë krimit dhe krim-politikës.

Po kështu SPAK me 16.01.2023  ka regjistruar procedimin penal Nr.9 i vitit 2023, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Fallsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra këto të parashikuara nga nenet 78, 319/ç, 319, 110, 248, 309, 278, 283/a, 333/a, 334 dhe 287 të Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal në Shqipëri dhe në disa vende europiane. Po ashtu është hetuar edhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri në vitet 2019 – 2022.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e B.K.H.-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale të ndodhura si më poshtë:

  • Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Gj. B., ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit T. P., ndodhur në Shkodër në muajin shkurt 2021.
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit K.M., ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2020.
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve D. D., I. L. dhe G. T., ndodhur gjatë vitit 2020.

Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është bërë e mundur të dokumentohet se persona me precedent kriminal, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat vijojnë hetimet.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publik, punonjës të policisë së shtetit të nivelit drejtues, punonjës të policisë të shtetit të nivelit të lartë drejtues, si dhe prokuror, të cilët cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.94, datë 23.07.2023 ka miratuar masat e sigurisë personale “arrest në burg”, për 15 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale. Konkretisht për shtetasit B.B., E.M., P.Gj., D.B., E.P., K.H., P.K., A.B., A.N., B.M., E.H., A.B., A.H., O.B. dhe Xh.L.

Gjithashtu me vendimin nr.314, date 24.07.2023 ka miratuar kërkesën për lejimin e kontrollit të 14 ambjenteve të ndryshme.

Më datë 27.07.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kanë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.94, date 23.07.2023, për 6 shtetas, konkretisht shtetasit P.Gj., E.P., A.B., A.H., O.B. dhe Xh.L. Gjithashtu janë arrestuar në flagrance 2 shtetas të tjerë, S.T. dhe N.F., si të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambjente ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (servere dhe kamera) me të cilat monitoreshin ambjente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës:

Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderim i veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze, për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal”-ishte njoftimi i SPAK.

Grupi i Prokurorëve të SPAK janë në unison dhe profesionistë, çka e bën këtë trupë drejtësie të respektuar.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit