Home Bota Ata që nuk he...

Ata që nuk hetojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsërisin atë

9
0

Nga Stephen M.Walt, Foreign Policy

Disa vjet më parë pata mundësinë të kaloja 1 ditë e gjysmë në bordin e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt”, gjatë kohës që ajo po zhvillonte një stërvitje në brigjet e Floridës në përgatitje të një dislokimi të gjatë.

Ishte një përvojë magjepsëse, dhe një nga aktivitetet që më bëri më shumë përshtypje, ishte vëzhgimi i uljeve të avionëve gjatë natës. Gjithashtu një pjesë jo më pak interesante, të paktën për mua, ishte vëzhgimi i trajnimit që i nënshtrohej çdo pilot pas çdo fluturimi, në të cilin anëtarët e ekuipazhit i shpjegonin pilotit së çfarë kishte bërë si duhej, dhe ku duhej të përmirësohej.

Synimi i atyre seancave ishte i qartë:Që të ruhej një nivel i lartë i përgatitjes,ushtarakët duhej të mësonin nga çdo gabim që kishin bërë, në mënyrë që të mund të shfaqnin një performancë më të mirë në të ardhmen.

Po mendoja mbi atë përvojë në kohën kur po lexoja në lidhje me përpjekjen e suksesshme të Partisë Republikane për të penguar Kongresin të ngrinte një komision të pavarur dypartiak për të hetuar sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Capitol Hill në 6 janar të këtij viti.

Sado tronditës që ishte në fillim ai sulm, më shqetësuese ishte fushata e republikanëve për të mos e lejuar popullin amerikan të mësojë nga ajo përvojë e hidhur. Republikanët ishin të shqetësuar se një hetim i tillë, mund të dëmtonte më tej partinë e tyre – dhe sidomos ish-presidentin Trump që nxiti turmën atë ditë.

Ata do të preferonin që vendi të mos e merrte vesh se çfarë ndodhi atë ditë apo arsyen pse. Një nga pikat e forta të supozuara të demokracive, është toleranca e tyre ndaj diskutimeve të hapura, gjë që e bën më të lehtë identifikimin e gabimeve, ndryshimin e kursit dhe vendosjen e përgjegjësve para ligjit.

Por ky kapacitet vetë-korrigjues po dëmtohet jo pak këto kohë, dhe jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, në Hungari,partia Fidesz e kryeministrit Victor Orban ka goditur sistematikisht mediat e pavarura, ka shtënë në dorë gjyqësorin, detyroi universitetin e tij më të mirë – Universitetin e Evropës Qendrore – të zhvendoset në Vjenë dhe tani po përqendron kontrollin e tij mbi pjesën tjetër të akademisë hungareze. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka ndjekur për vite me radhë të njëjtin “manual”, po ashtu edhe presidenti Brazilian Jair Bolsonaro. Gjërat janë disi më mirë këtu në Shtetet e Bashkuara, por hezitimi i këtij vendi për të analizuar gabimet e veta në mënyrë të sinqertë dhe me mendje të ashpër është ende një problem.

E mbani mend komisionin hetimor mbi ngjarjet e 11 shtatorit 2001? Raporti i tij përfundimtar përmbante një rrëfim tërheqës të komplotit, por refuzoi të jepte ndonjë gjykim mbi zyrtarët që ishin personalisht përgjegjës për atë tragjedi.

Gjithashtu, nuk ka pasur ndonjë përpjekje zyrtare për të vlerësuar vendimin fatal për të pushtuar Irakun në vitin 2003, apo mbi shumë gabime që çuan në dështimet e mëvonshme atje dhe në Afganistan. Departamenti i Mbrojtjes hetoi abuzimet famëkeqe në burgun irakian të Abu Ghraib.

Por hetimet u fokusuan vetëm tek komandantët lokalë apo personeli i burgut, dhe jo tek zyrtarët civilë, politikat e të cilëve i bënë të mundura abuzimet. Në mënyrë të ngjashme, edhe ish-presidenti Barack Obama, zgjodhi të mos hetojë përdorimin e torturës nga administrata George W.Bush, ndërsa ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së,William Barr bëri disa përpjekje për të minuar hetimin ndaj ish-presidentit Trump.

Në të kaluarën, mund të thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk kishin nevojë për hetime zyrtare historike të këtij lloji. Në një shoqëri të hapur, shumëkush mund të mbështetej tek studiuesit dhe gazetarët, disa prej tyre të mbrojtur nga Amendamenti i Parë.

Procesi i vlerësimit nuk do të ishte kurrë i përsosur, por me siguri do të ishte më i mirë sesa një përpjekje nga lart-poshtë për të imponuar një vijë zyrtare të partisë, ose për të mbyllur të gjitha hetimet mbi vendimet e diskutueshme të politikës. Ose për të përdorur frazën e paharrueshme të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Oliver Holmes:Një “treg idesh” demokratike, ishte më i preferuar sesa monopoli i qeverisë.

Dikur e besoja me gjithë zemër këtë pikëpamje, por gjithnjë e më shumë prova se “tregu i ideve” është shumë i lehtë për t’u manipuluar, ma ka dëmtuar besimin tek ai. Një nga problemet më të dukshme është fshehtësia:Sot është bërë shumë më e vështirë të vlerësosh se çfarë po shkon keq, pasi qeveritë kanë mundësi që të fshehin atë që po bëjnë, ose edhe kur publikojnë informacione, e bëjnë në mënyrë selektive për të mbështetur kauzën e tyre.

Gatishmëria e disa zyrtarëve për të mashtruar publikun në të kaluarën, ndihmoi në nxitjen e epidemisë së teorive të konspiracionit, e cila po e ndot tani diskursin publik, dhe po i inkurajon njerëzit që të hedhin poshtë si “lajm i rremë” informacionin që nuk u pëlqen.

Trump përfitoi plotësisht nga ky skepticizëm, duke e përdorur në mënyrë të përsëritur këtë frazë, duke thënë:“Unë e bëj këtë që t’ju diskreditoj dhe ju përçmoj ju të gjithëve, në mënyrë që kur të shkruani histori negative për mua, askush të mos ju besojë”.

Së dyti, tregu i ideve anon në favor të atyre që zotërojnë megafonët më të zhurmshëm dhe buxhetet më të mëdha. Donatorët e pasur mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme mbi botën akademike. Aftësia për të arritur tek e vërteta bie së bashku me besimin e publikut tek ekspertiza profesionale.

Dhe pasojat negative shkojnë përtej humbjes së aftësisë për të mësuar leksione të dobishme nga e kaluara. Gërryerja e besimit tek qeveria, media dhe bota akademike, shndërrohet në një justifikim për të injoruar çdo informacion që sfidon bindjet vetjake, dhe për të zgjedhur cilindo version të së ashtuquajturës “të vërtetë”, që dikush e konsideron të lezetshme.

Në fund të fundit, njerëzit do të preferojnë një gënjeshtër të dukshme, që është në përputhje me bindjet e tyre të mëparshme, sesa një të vërtetë të mirë-verifikuar që i sfidon ata. Tregu i ideve prishet edhe më shumë kur ortodoksitë e caktuara bëhen aq shumë të ngulitura tek disa njerëz, sa që vështirë se dikush i vë ato në dyshim.

Dhe ata që e bëjnë këtë gjë në mënyrë serioze dhe të matur, sulmohen ose anashkalohen me shpejtësi. Siç paralajmëroi dikur gazetari i shquar Walter Lippmann “Kur të gjithë mendojnë njëlloj, askush nuk mendon shumë”. Kur nuk mëson nga gabimet e së shkuarës, një vend i fuqishëm mund të vazhdojë të bëjë të njëjtat gabime pa pushim, sepse sfidimi i konsensusit është profesionalisht i rrezikshëm.

Çdo gjë që ndërhyn në aftësinë e një shoqërie për të menduar me kujdes dhe në mënyrë kritike për sjelljen e saj të kaluar, e bën atë shumë më të prirur për t’i përsëritur ato. Unë besoj se shoqëritë e hapura bëjnë një punë më të mirë në aspektin e autokritikës sesa diktaturat, por ky avantazh tani mund të jetë duke u zvogëluar. Nëse është kështu, aftësia e Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr në një botë komplekse dhe sfiduese do të vazhdojë që të bjerë. /Përktheu: Abcnews.al

Shënim: Stephen M.Walt, është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit