Home Editorial Ben Blushi: A...

Ben Blushi: A duhet lejuar Eutanazia* ose “vdekja e kontrolluar”?

89
0

(Ky editorial shkruar nga Ben Blushi shikohet më i plotë si video, ndaj duhet klikuar)

Nga Ben Blushi-

Një njeri që e njoh prej 30 vjetësh, vrau veten. Disa muaj më parë ishte diagnostikuar me kancer në pankreas e melçi dhe pas shumë përpjekjeve, torturave përpëlitëse dhe netësh pagjumë, vendosi ta sulmonte tumorin me tuba dhe thika dhe të bënte një ndërhyrje që ia shtoi edhe më shumë vuajtjet dhe ia hoqi shpresën përfundimisht.

Kur i doli narkoza, mjekët i thanë se ndoshta nuk kishte më shumë se dy apo tre javë jetë. Ose e shumta një muaj jetë.

E kthyen në shtëpi të përgjysmuar, të dobët, të zhbërë dhe aq të pafuqishëm saqë gruaja dhe vajza e ushqenin, e lanin, e ngrinin dhe e ndihmonin. Sapo kuptoi se ky proces i neveritshëm shërbimi, do vazhdonte deri ditën e fundit të jetës, mori pistoletën dhe vrau veten.

Kishte qenë oficer policie.

Iku duke mbrotjur dinjitetin e vet dhe duke i kursyer gruas dhe fëmijëve një dhimbje që ndoshta nuk do t’u shqitet më kurrë. I zhveshur nga funksionet jetësore, atij i kishte mbetur në dorë vetëm një gjë: të mos zhburrërohej. Duke vrarë veten u çlirua nga dara dhe nga dora e hekurt e metastazave dhe po ashtu shpëtoi njerëzit që donte nga një skelet që merr frymë, siç ishte katandisur.

Unë e admiroj këtë njeri.

Ai gjeti forcë t’i japi fund jetës atëherë kur ajo u kthye në një mizori. Ditën e fundit të jetës mori forcë dhe u ngrit vetë në këmbë. Para se të ikte pagoi të gjitha borxhet. Kishte thirrur edhe pronarin e funeralëve dhe kishte parapaguar faturën e funeralit të vet, pa e ditur të familjes. Largoi fëmijët e vegjël për në qytet, u tha djemve të pastronin oborrin, bahçen, piu kafen e fundit me të shoqen, pa i treguar asaj se ishte e fundit për këtë jetë.

Ai shkonte çdo ditë te varri, të cilin e kishte bërë gati prej muajsh. E ujiste, e zbukuronte, e rregullonte, e sistemonte, duke e mbjellë me lule.

Kishte porositur vajzën që gurët mbi varr të ishin nga lumi afër shtëpisë.

Në varreza, me siguri kishte patur kohë të njihej me fqinjët, me të cilët tani do kalojë pjesën e mbetur të vdekjes dhe ishte miqësuar me varrmihësit e vet duke pirë një kafe pa sheqer dhe ndoshta duke i lënë një bakshish që ta varrosnin mirë.

Kur imagjinoj sesi ka marrë armën dhe ka parë diellin për herë të fundit, përpiqem të hyj në kokën e një njeriu që e di se po vdes.

Çfarë mendimesh mund të ketë dikush që del çdo ditë nga shtëpia dhe shkon në varrin e tij njëlloj sikur shkon në punë. Aty flet me vete, qan, ngashërehet, urren, mëshiron, kujton, harron, fal dhe mërzitet për gjërat që nuk i bëri dot, pa u gëzuar për gjërat që i bëri mot dhe si bën më sot.

Arsyeja pse po shkruaj këto rreshta nuk është dhimbja për atë që iku, por për ata si ai që janë ende gjallë.

Pacientë terminalë që dergjen nëpër spitale, të kthyer në mbetje biologjike e cila as nuk ndjen, as nuk shijon, as nuk lëviz, por vegjeton. Këta njerëz që nuk kanë asnjë faj për gjendjen ku ndodhen, përveçse jetojnë në ferr, janë dhe ferri i atyre që duan dhe i duan. Nuk ka gjë më të rëndë se sa kur ata që të duan, duan vetëm se si të shpëtojnë nga ty.

Këtu vdekja ka korrur fitoren e parë të madhe. Të ka marrë dhembsurinë e tyre, para se të marrë pjesërisht trupin, pastaj mendjen dhe në fund shpirtin.

Shumica e këtyre të sëmurëve luten çdo ditë si të vdesin.

Por nuk dinë se si. Nëse do kishin mundësi dhe kurajo do ta kishin vrarë veten njëlloj si miku im, por fatkeqësisht ata nuk kanë as kurajo dhe as mundësi. Të shtrirë nëpër krevate nga ku nuk ngrihen më, ata nuk dalin dot në rrugë për të blerë një armë dhe për të vrarë veten.

Atëherë kush i shpëton ata nga jeta? Kush i jep fund jetës së tyre pa kuptim?

Vende të cilat janë ndarë nga traditat kishtare, sipas të cilave jetën mund të marrë vetëm ai që ta ka dhënë, pra Zoti, po e zgjidhin këtë dilemë në favor të njeriut. Ata mendojnë më shumë për dhimbjet e njeriut sesa të Zotit. Ata kanë miratuar eutanazinë, ose vdekjen e asistuar, e cila i jep mundësi pacientëve të pashpresë, të zgjedhin të vdesin atëherë kur kërkojnë të vdesin, sepse nuk munden më, sepse edhe shkenca nuk mundet më.

Shteti të lejon dhe të ndihmon të vdesësh. Nuk ke nevojë të kërkosh një armë, të hidhesh nga dritarja, të presësh damarët apo të shëmtohesh e të deformohesh duke cënuar dinjitetin tënd. Mund të vdesësh me lejen dhe me ndihmën e shtetit. Mjafton një shiringë e mbushur me lëng që të ve në gjumë për të mos u zgjuar më. Një grup mjekësh miratojnë procedurën e parashikuar nga ligji dhe jeta jote ndërpritet në mënyrë paqësore.

Mes teje dhe vdekjes ka kompromis. Ka mirëkuptim.

Meqë Shqipëria po kthehet gradualisht në një Republikë Ultraliberale, e cila lejon me ligj shumicën e veseve njerëzore, përfshi tymosjen, bastet dhe lojërat e fatit, pa folur për veset që toleron pa ligj, atëherë pse mos e lejojë dhe vdekjen e ëmbël?

A duhet të kenë të drejtë pacientët e pashpresë t’i kërkojnë shtetit t’i vrasë, atëherë kur nuk munden më? Pse duhet që njerëzit të vrasin veten kur mund t’ia kërkojnë këtë shërbim shtetit, të cilit i paguajnë taksa për të jetuar më mirë, por edhe për të vdekur më mirë?

A duhet legalizuar eutanazija?

Sa e ëmbël dhe shpëtimtare do ishte eutanazija për mikun tim oficer policie dhe familjen e tij, e cila sot me siguri është e traumatizuar nga pistoleta që i mori jetën babait.

Në provincat e Shqipërisë, si kudo tjetër, për fat të keq vetëvrasja paragjykohet dhe quhet një akt i ulët, një anomali. Sigurisht që vetëvrasja është një dorëzim, por në rastin e mikut tim është një detyrim. Një shpëtim.

Është një zgjidhje dinjitoze të cilën nuk kishte ku ta kërkonte tjetër. Atë e braktisi natyra, shkenca, shteti dhe Zoti. E lanë vetëm. E tradhëtuan. Prandaj e gjeti zgjidhjen vetë, si një qenije e fortë, racionale dhe inteligjente. Natyrisht nuk do ta bënte sikur shteti ta ndihmonte të vdiste përmes eutanazisë. Përmes vdekjes së ëmbël të cilën kaq shumë njerëz mezi e presin dhe sigurisht e meritojnë prej kohësh./Ben Blushi/

*Shënim:

Euthanasia (nga Greqishtja εὐθανασία që do të thotë “vdekje e mirë”. Sipas Komitetit të Shtëpisë së Lordve në etikën mjekësore, definicioni i saktë i Euthanasisë është “një ndërhyrje e qëllimshme e ndërrmarë me qëllimin e vetëm të përfundimit të një jete, për shkak të dhimbjeve të pakontrollueshme dhe që nuk ka shprese jete”.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit