Hipotezat përse mund të jenë ri-infektuar 116 koreano-jugorë
Ri-infektimi i 116 koreano-jugorëve, të cilët kishin kaluar sëmundjen e COVID-19, por pas daljes nga spitali kishin rezultuar “negativ” pas bërjes së testit, ka krijuar shumë shqetësime në komunitetin e ekspertëve që merren me këtë virus. Qytetarët po ashtu janë në panik nga ky lajm i pazakontë, sepse ju duket se janë tërësisht të pambrojtur nga ky virus misterioz.
Ekspertët e vënë në lëvizje menjëherë kanë hedhur tri hipoteza për këtë sjellje të papritur të COVID-19:
Së pari, supozohet se testi që iu është bërë 116 pacientëve pasi kanë dalë nga spitali të shëruar, test i cili ka rezultuar “negativ”, mund të mos ketë qenë i saktë, ose siç thonë ekspertët ka qenë fallso-negativ. Pra, ata kanë vazhduar të jenë të pashëruar dhe bartës të virusit, prandaj u janë rishfaqur simptomat e për rrjedhojë disa kohë më pas kur iu është ribërë testi, kanë rezultuar “pozitiv”…
Së dyti, supozohet se virusi ka qëndruar i fjetur dhe është “rizgjuar” duke u rishfaqur…
Së treti, COVID-19 mund të ketë një “sjellje të çuditshme”, të ndryshme nga ajo e viruseve të tjerë. Thënë më qartë: kur virusi infekton një individ, ai krijon antitrupa që normalisht ndihmojnë individët të mos preken më nga i njëjti virus për një periudhë kohe të caktuar, nga disa muaj deri disa vite. Në këtë rast thuhet se individi i prekur nga virusi, pas shërimit krijon imunitet. Por COVID-19 mund jetë i “veçantë” dhe të ketë një sjellje të çuditshme, pra ai krijon antitrupa, por në disa raste ato nuk janë në gjendje ta mbrojnë individin nga ri-infektimi.
Ky do të ishte rasti më i rëndë sepse as vaksina nuk do të mund të ishte zgjidhje sepse antitrupat e krijuar nuk do të mund të shërbenin si mbrojtje… Kjo do të thoshte se njerëzimi duhej të bashkëjetonte me COVID-19, i pambrojtuar prej tij përmes një vaksine apo nga imuniteti individual. Në këtë rast do të mbeteshin në fuqi shumë nga masat mbrojtëse dhe e vetmja mundësi për të shmangur rastet fatale gjetja e një medikamenti që lehtësonte pasojat e këtij virusi.
KOHA JONË SONDAZH

