Udhëtimi i Papa Leonit XIV në Afrikë, një thirrje për të ndryshuar zemrën
Vizita e Leonit XIV në kombet afrikane tregon forcën e popujve të shtypur nga zgjedha koloniale dhe na kërkon të jemi pjesë e së tashmes dhe e së ardhmes më të drejtë, më vëllazërore dhe më solidare!
Udhëtimi i Papës në Afrikë na kërkon t’i hapim sytë, ta ndryshojmë rrahjen e zemrës sonë, për ta bërë më të gjallë, dhe na nxit të veprojmë për të siguruar që fytyra e njerëzimit të jetë më e vërtetë. Këto ditë, mijëra njerëz e presin dhe e shoqërojnë Atin e Shenjtë, duke i mbushur rrugicat ose rrugët e qytetit me pluhur të kuq; shpesh, pas kordoneve, ka shtëpi me çati kallaji, me struktura të rrënuara, megjithatë sytë e të gjithëve janë plot me gëzim, buzëqeshjet shpërthejnë sapo një vështrim kryqëzohet me një përshëndetje. Njerëzit presin me orë të tëra makinën e Papës ose të grupit të tij shoqërues, për ta pasur mundësinë për një fotografi. E këndojnë, e kërcejnë, e valëvisin flamuj dhe degë, e ngrenë me gjallëri duart drejt qiellit.
Kjo vizitë është ecje në plagët dhe shpresat e popujve, shpesh të harruar, por është edhe ftesë për të gjithë, që të ndryshojnë perspektivë, të mos shohin anën tjetër, të ndërtojnë lidhje, vëllazëri dhe marrëdhënie, duke mos iu dorëzuar frikës dhe duke mos u nënshtruar.
Afrika, me të cilën po takohet Papa Leoni, ka vitalitet dhe energji të jashtëzakonshme, e edhe kapacitet të pakufishëm për të ardhmen, por po aq e dukshme është edhe zgjedha koloniale që bota vazhdon ta ushtrojë për të shtypur, për të kontrolluar dhe për ta përmbajtur potencialin. Këtu, ku burimet plaçkiten, toka është plagosur me mbeturina toksike, konfliktet, kundërshtimi dhe korrupsioni ushqehen, ajo që po përpihet nga grupet e pushtetit politik dhe ekonomik nuk është thjeshtë paraja, por e tashmja dhe e ardhmja e brezave të tërë.
Në një planet të plagosur nga lufta dhe nga dhuna, Pasardhësi i Pjetrit ndërton ura, duke nxitur takimin, pajtimin, ndërgjegjësimin, unitetin dhe paqen. Si në Bamenda, që gjatë vizitës së tij u rilidh fjalë për fjalë me vendin. Për shkak të dhunës së lidhur me çështjen separatiste, që shkaktoi mijëra njerëz të pastrehë e edhe të vdekur, rrugët nuk ekzistonin më thuajse plotësisht e aeroporti ishte i papërdorshëm prej tetë vjetësh.
Ardhja e Leonit rigjallëroi jo vetëm progresin material, por edhe zemrën, duke e ringjallur shpresën e fjetur. Me udhëtimet e tij, Papa po nxjerr në pah edhe dallimet e kombeve që po viziton, e po shpërndan narrativën konfuze dhe shfrytëzuese, që shpesh e sheh Afrikën si të ishte një vend i vetëm, e jo një kontinent. Shpreh me forcë edhe unitetin e dallimeve, veçantinë e familjes njerëzore, pjesë e së cilës është çdo njeri, si bir i Zotit, bën të dukshme polifoninë e Kishës, e thirrur për të përhapur bukurinë e Ungjillit, i cili, i mishëruar, nxit krijimtarinë dhe ndërton shoqëri më të drejta, më vëllazërore dhe më mbështetëse.
Papa bën thirrje për përgjegjësi të përbashkët e, nga Afrika, i flet botës, secilit prej nesh. Bën dhe një pyetje radikale, që na shtyn të shkojmë tek të tjerët, t’i takojmë ata, t’i falim, t’i ndihmojmë, të ecim së bashku, duke marrë përsipër përgjegjësinë e ndërtimit të një horizonti të ri, të përbashkët. Në një botë shpesh të ushqyer nga polarizimi, arroganca dhe kërcënimi, Ati i Shenjtë sjell fytyrën e Krishtit, i cili u kërkon të gjithëve të ndryshojnë, duke mishëruar “po”-në e pendesës në çdo veprim të jetës së përditshme. Leoni po rilidh të gjithë njerëzimin, duke u rikthyer popujve respektin dhe lirinë për t’u rritur e për t’u zhvilluar e duke çmontuar pretendimet e sundimit dhe të zotërimit.
R.SH. / Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

