Home Aktualitet E bllokuar në...

E bllokuar në paradhomën e BE – Përpjekja disavjeçare e Shqipërisë për t’u anëtarësuar

11
0

Për Jonara Hoxhën, perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian e ka humbur shkëlqimin. Gjashtë vite më parë, ajo zgjodhi që të studionte për mjekësi në Tiranë dhe jo te universitetet perëndimore që e pranuan.

“Mendoja se nëse do të largohesha do të humbja vendin që më takonte në vendlindje dhe ndonjëherë mendoja se mund të humbisja edhe vendin në familjen tim. Kështu qëndrova dhe jam e penduar nga ky vendim i imi”, thotë ajo për Al Jazeera.

Pasi përfundoi vitin e fundit të shkollës dëshiron që të specializohet në Gjermani si kirurge e përgjithshme. Nuk janë vetëm rrogat shumë më shumë të larta se 600 dollarët në muaj që mund të fitojë në Shqipëri. Ajo është e zhgënjyer që shumë prej profesiorëve të saj kurrë nuk u shfaqën në klasë, duke i lënë leksionet në dorë të vetë studentëve.

Jonara thotë se mjekët në Shqipëri shpesh shihen me dyshim dhe vuajnë sulme verbale dhe fizike.

“Të gjithë duam të ndihmojmë për të ndryshuar këto gjera dhe unë jam gati, por nuk dua që të zhgënjehem sërish. Dua të punoj për veten, të rritem profesionalisht dhe këtu nuk mund ta bëjë këtë. Ndjehem sikur po humbas shpresën”, shton ajo.

Në dekadën e fundit 423 mijë e 700 shqiptarë kanë emigruar në Perëndim për punë, arsim dhe shëndetësi. Shifra është 14 për qind e popullsisë së vendit.

Nëse pas rënies së komunizmit emigrantët ishin kryesisht punonjës krahu, tani përfshihen edhe njerëz të edukuar dhe profesionistë, që në vendlindje mund të forcojnë klasën e mesme të shoqërisë dhe ekonominë e vendit.

Punësimi është njëra prej arsye kryesore se përse shqiptarët mbështesin masivisht anëtarësimin në BE, thotë gazetari Enton Abilekaj. Korrupsioni është arsyeja tjetër.

“Nuk besojnë në zgjedhje, nuk u besojnë politikanëve dhe mendojnë se pas anëtarësimit qeveria këtu do të jetë më e kontrolluar nga jashtë. Kjo është arsyeja se përse e duan kaq shumë anëtarësimin”, thotë Abilekaj.

Kryeministri “dinamik” i Shqipërisë, Edi Rama e shpenzoi mandatin e tij të dytë në qeverisës duke u përpjekur që të pastrojë politikën shqiptare përmes strukturave antikorrupsion dhe kaluar në vetting të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Tani, në mandatin e tij të tretë Rama synon që të fokusohet te reforma në universitete përmes një bordi drejtues me anëtarë nga shqiptarët e diasporës. Atyre u ëshë ngarkuar detyra që të përgatisin sisteme shkrirjeje dhe programesh të përbashkëta me universitete të huaja për të “ndërkombëtarizuar shpirtin e arsimit të lartë shqiptar”.

“Nuk mundet thjesht të fajësosh një të ri që kërkon që të arrijë çfarë dëshiron”, tha Rama, kur u pyet mbi shifrat e larta të emigracionit.

“Ajo që po bëjmë ne këto vite është që të mos humbasim më kohë dhe të ecim më shpejt me reformat, me modernizimin dhe ta bëjmë vendin që të punojë në terma sistemi dhe më pas trendet mund të ndryshojnë”, vijon ai.

Rama ka plane të mëdha edhe për industrinë e turizmit, duke hapur tendera për ndërtimin e katër porteve dhe katër aeroporteve.

“Kur u bëra Kryeministër as që bëhej fjalë për të pasur investime serioze në fushën e turizmit. Ishte jashtë çdo imagjinate që hotele me pesë yjë, apo investime cilësore mund të vinin. Tani, Shqipëria është në hartën e tyre”, tha Rama për Al Jazeera.

Të gjitha këto procese mund të përshpejtoheshin nëse BE, ku Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim që në 2009-n, do të niste bisedimet.

Komisioni Europian ka nxitur vendet anëtare që të nisin bisedimet me Shqipërinë prej tre vitesh tashmë dhe vitin e fundit, Këshilli Europian miratoi parimisht që të niseshin këto bisedime. Që prej asaj kohe, Shqipëria pret një datë, që as Këshilli i 24 qershorit nuk e dha.

Problemi i parë është se ftesa për një datë me Shqipërinë është bashkuar me atë për Maqedoninë e Veriut. Kjo e fundit është bllokuar nga Bullgaria për çështje gjuhe dhe kulture.

Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të thotë se flet një dialekt të bullgarishtes. Maqedonia e Veriut vetëm në 2018 tejkaloi një përplasje me Greqinë për çështjen e emrit dhe ra dakord që ta ndryshonte atë.

Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi sugjeroi muajin e kaluar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të ndaheshin, por kjo do të kishte kosto besueshmërie për BE, që mund të shihej si mosmbajtje e premtimit për të mos lënë pas Maqedoninë e Veriut.

“Mendoj se do të ketë një zhurmë pozitive për këtë proces, sepse BE nuk ddëshiron që të shihet sikur është ftohur procesi i zgjerimit. Por, ajo se çfarë do të ndodhë në të vërtetë mund të mos korrespondojë shumë me atë që thuhet”, thotë James Pettifer, pedagog i historisë Ballkanike në Universitietin e Oksfordit.

Ai sheh “dy elefantë të tjerë në dhomë”.

Njëra është induestria e paligjshme e kanabisit, që thotë se ka hyrë në çdo aspekt të ekonomisë.

Vizitorët e Tiranës shpesh habiten me numrin e makinave luksoze dhe ndërtimet frenetike gjiganta, por këto duket sikur nuk përputheb ne 12 për qind papunësi, emigrim masiv dhe një rrogë mesatare mujore 600 dollarëshe.

Elefanti tjetër është miqësia e ngushtë e Ramës me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan, që Pettifer e quajti “aspekt të pushtetit të butë” të politikës së jashtme të Ankarasë, që ka në bazë financimin dhe ndërtimin e xhamive në vendet myslimane të ballkanit.

“Erdogan është largpamës. Për shumë të rinj të papunë, klubet luksoze pranë këtyre xhamive duken tërheqëse. Mendoj se Rama gjithmonë ka shpresuar se në sytë e Bashkimit Europian, islami i shqiptarëve nuk do të përbëjë pengesë për anëtarësimin. Sigurisht, te ekstremi i djathtë i BE, sidomos në Francë dhe Hungari fakti që shumica e popullsisë është myslimane do ta përjashtonte automatikisht Shqipërinë nga ambicia për anëtarësim”, thotë Pettifer.

Rama është i vendosur që ta shtyjë Shqipërinë në drejtim të Perëndimit.

“Kemi bërë detyrat tona dhe meritojmë nisjen formale të negociatave. Nuk mendoj se kjo do të zgjidhet tani në qershor, por ndoshta në vjeshtë. Nëse jo, do të presim”, thotë Rama.

Marrë nga Al Jazeera – Përktheu Gazeta Shqip

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit