Home Aktualitet Gjergj Luca f...

Gjergj Luca flet për familjen: Ndreka dhe Mimika më kanë ushqyer për të qenë i lirë

1098
0

Biznesmeni Gjergj Luca, ka dhënë një intervistë për Ylli Rakipin në “Të Paekspozuarit”, ku ndër të tjera foli edhe për familjen.

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Gjergj Luca, djali i dy artistëve shumë të njohur dhe të respektuar. Njerëzit, zakonisht pas vdekjes i thonë këto fjalë, por nuk është kështu në rastin e Ndrekës dhe Mimikës, dy artistë me vlera të jashtëzakonshme dhe njerëz shumë të mirë. Ti pse nuk e ndoqe rrugën e tyre? Si lindën këta njerëz kaq të mirë, një njeri që s’rri pa bërtitur dhe s’lë gjë pa thënë?

Gjergj Luca: Mua më kanë ushqyer për të qenë njeri i lirë. Pasuria ime më e madhe është liria dhe nuk e ndërroj me asgjë. Pasuria nuk është leku dhe ky ka qenë formimi që ata më kanë bërë që unë të ruaj vlerat e familjes sime që të jenë të lirë. Nëna ime, nga Janina erdhi dhe u rrit në shtëpinë e fëmijës, gjatë luftës Italo-Greke. Im atë zbriti nga Dukagjini në varfëri totale se i dogjën shtëpinë dhe pati dy milionë probleme, i vranë vëllezërit etj. Gjaku, geni dhe formimi ata i bëri njerëz të lirë, brenda atij sistemi. Fëmijët nuk i rritën me servilizëm, nuk i rritën me poshtërsira, por me idealizma dhe i rritën njerëz që nuk bëjnë asnjë lloj kompromisi me atë që quhet liri.

Ylli Rakipi: Në familjen tuaj kush është tjetër?

Gjergj Luca: Kam një motër të mrekullueshme që është në Amerikë, në Nju Jork, në një vend ku vlerësohet puna, është doktoreshë, ka klinikën private, jeton e lumtur në një vend ku respektohet puna. Ndërsa unë nuk dorëzohem.

Ylli Rakipi: Tani ata nuk janë më. Mimika iku tani së fundmi. Kë ke dashur më shumë nga këta dhe kush ka qenë më afër teje, Ndreka apo Mimika?

Gjergj Luca: Nuk mund të flitet për dashuri për pindërit, por për pengje, çfarë meraqesh ke patur. Merak kisha babain se iku pa më parë mua, që mora një rrugë të shëndetshme për të bërë diçka në jetë. Adoleshenca ime ka qenë me temperament dhe ka vuajtur pak, por dy vitet e fundit më ishte bërë shok. Kam thënë diku se babai ka qenë më i mençur se unë, sepse deri nga mosha 25 vjeç kam menduar se isha më i mençur se ai. Dy vitet e fundit, kur kisha pak kohë se filloi historia e ’90-ës, flisja dhe ndaja mendime me të dhe fjalët e tij i kam postulate. Pengu im më i madh është babai që iku aq shpejt me atë temperament. Ndërsa Mimika iku si donte, iku e lumtur. La dy fëmijë punëtorë dhe thoshte se: Jam nëna më e lumtur se të dy fëmijët e mia u bënë punëtorë, i dalin për zot vetes, familjes.

Ylli Rakipi: Sa fëmijë ke dhe si i marrëdhëniet me ta?

Gjergj Luca: Unë kam dy prova. Njërën me një grua shqiptare, nga një familje shumë e mirë nga Durrësi. Kam dy fëmijë me të. Ka qenë periudha kur ndryshoi sistemi dhe si duket dhe unë me temperament dola rrugëve me mbajt familjen. Aty i krijua një konflikt se ajo më donte te shtëpia. Unë e humba familjen e parë, i çova në Amerikë. Atje kanë bërë jetën e tyre, por larg shpirtit, larg zemrës. Provën e dytë nuk e kam bërë me shqiptare, e kam bërë me të huaj, si duket u tremba dhe kam tre fëmijë. Kam vajzën vajzën, Maja, 16 vjeçe, kam Alonën, sherrin që më ngjan mua 100 për qind dhe kam edhe Ndrek Lucën, 4 vjeç e gjysëm, djalin. Jam i plotësuar, familja është e shenjtë.

Ylli Rakipi: E mendon që Shqipëria është një vend i mirë për të rritur fëmijët?

Gjergj Luca: Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe është ndër të paktat vende bio që bazën e ka te familja. Unë admiroj këtë pjesë të Shqipërisë dhe ne duhet të jemi më krenarë për këto vlera që kemi, që nganjëherë na krijojnë edhe shqetësime te sytë e botës, por Shqipëria është vend i bekuar.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit