Home KRYESORE Ish-President...

Ish-Presidenti Trump mund të përballet me deri 641 vjet burg

36
0

Problemet ligjore të ish-presidentit Donald Trump vazhdojnë të rëndohen, duke vënë në rrezik jo vetëm garën e tij presidenciale, por edhe lirinë personale.

Javën e kaluar, zoti Trump u padit për katër vepra penale në lidhje me përpjekjet e tij të supozuara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që ai i humbi ndaj rivalit Joe Biden.

Kjo ishte aktpadia e tretë penale ndaj tij në më shumë se katër muaj – dy aktpadi janë nga autoritetet federale dhe tjetra nga shteti i Nju Jorkut. Në total, të tre aktpaditë përmbajnë 78 akuza penale ndaj ish-presidentit.

Një padi e katërt pritet të ngrihet në fund të këtij muaji në shtetin jugor të Xhorxhias, ku një prokurore lokale, ka hetuar zotin Trumpin dhe aleatët e tij, për ndërhyrje në zgjedhje në këtë shtet.

Sipas një përllogarie të bërë nga portali ‘Politico’, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e shpallura deri tani dhe i jepet dënimi maksimal, zoti Trump mund të përballet me deri 641 vjet burg.

Megjithatë, gjyqet nuk janë zhvilluar ende dhe ekspertët ligjorë thonë se ish-presidenti mund të shmangë dënimin me burg, duke negociuar me prokurorët për dënime të lehta në shkëmbim të pranimit të fajësisë dhe duke apeluar dënimet e mundshme.

Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm në të tre rastet dhe i ka cilësuar akuzat “ndërhyrje në zgjedhje” të krijuara për të dëmtuar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të 2024.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar atë mes kandidatëve të tjerë republikanë për president. Ai vazhdon të dominojë me diferencë të thellë ndaj të tjerëve. Por me të paktën dy procese gjyqësore, që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, çështjet penale ka të ngjarë të hedhin një hije të errët mbi garën presidenciale dhe titujt e lajmeve. (Marrë me shkurtime)

(VOA)

 

 

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit