Home Aktualitet Kolë Martini,...

Kolë Martini, rilindasi dhe patrioti i shquar nga Shkreli i Malësisë së Madhe

547
0

Rikthim pas 34 vitesh në gazeten “Koha Jonë”

Nga: Profesor Gjon Frani Ivezaj

E shpjeguar sipas termave shkencorë të historiografisë shqiptare dhe për t’i dhënë kuptim fjalës “rilindas”, Rilindja Kombëtare Shqiptare është periudha e lëvizjeve politiko-shoqërore dhe kulturore për çlirimin e vendit nga pushtimet e huaja. Lëvizje kjo që nisi nga mesi i shekullit XIX e që kulmoi në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo periudhë shënoi nisjen e një faqe të re të historisë për popullin shqiptar. Edhe pse në kushte shumë të rënda ekonomike e sociale të kushtëzuara nga sundimi i tejzgjatur osman, elita e patriotëve nuk reshti së punuari me pushkë e penë për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare e për të sensibilizuar popullin për lirinë dhe të drejtat e veta etnike.

Kjo valë dhe frymë patriotike kishte depërtuar edhe në viset më të largëta të Malësisë së Madhe, e cila asokohe njihej botërisht për qëndresën e saj dhe kryengritjet e një pas njëshme ndaj okupatorit të huaj turk, e serbo – malazez. Në këtë valë lëvizjesh u përfshi edhe patrioti dhe intelektuali e mirëshkolluar për kohën, Kolë Martini, i cili ishte një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare në këtë komunitet, i mohuar qëllimisht nga sistemi monist i Enver Hoxhës, për shkak të qëndrimit të djalit të tij Gjokës, i cili u përfshi në kryengritje anti komuniste të Koplikut, duke mbajtur lidhje të ngushta me Llesh Marashin kryekomandantin e saj. Për shkak të këtij qëndrimi komunistët nuk i kursyen as jetën e këtij djaloshi me ideale e aspirata të larta njerzore, por e vranë në lule të rinisë dhe veshën familjen e tij me damkën e të “deklasuarit” apo të prekurit politik, çka bëri që emri dhe meritat e Kolë Martinit të priten si trungu i një peme, duke mohuar në mënyrë kategorike qarkullimin e emrit të Kolës si njeri me merita, gjatë gjithë sundimit të pushtetit të tij totalitar. Kjo bëri, që vetë Kola me atë fisnikërinë që e karakterizonte si njeri me dinjitet të lartë, të kalonte në një jetë të tërhequr sociale në mënyrë që të mos i dëmtonte të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij dashamirës.

Fisnikët e asaj kohe, qytetarë dhe malësorë, e vlersonin si “Njeri të Madh” të fshehur pas një modestie burrnore, i cili lindi në kohë të vështira, u brumos dhe jetoi po në kohë të vështira, e në kohë edhe më të vështira u largua nga kjo jetë. Të habitë fakti që edhe sot pas më shumë se tre dekada demokracie, akoma nuk kemi një qëndrim akademik rreth këtij patrioti të heshtur me kontribute të mëdha, i cili dha shumë çka nga vetja për Malësinë e Madhe, për Kombin dhe Vatanin. Kolë Martini punoi fort me urti, dituri e trimëri dhe nuk mori asgjë në këmbim. Egziston vetëm një shkrim gazetaresk i shkruar me shumë guxim e përgjegjësi nga Gjon Simoni i botuar në gazetën “Koha Jonë”, organ i rrethit të Lezhës, në vitin 1988, nga i cili mund të kuptojmë të dy anët e medaljes së qëndrimit cinik, akademik shqiptar, të atëhershëm dhe të tashëm, pasi ai shkrim simbolizon të vetmen këmbanë të rënë në horizont për kontributin dhe meritat e Kolë Martinit. Mësuesit të parë titullar që punoi në kohën e errësirës së madhe dhe hodhi themelet e arsimit laik shqiptar në Lezhë e më gjërë, gjë që e dëshmon edhe ky shkrim.

“Kolë Martini mësuesi i parë laik në qytetin e Lezhës”

Qeveria e re, e dalë nga Kuvendi i Vlorës, më 1912 nëpërmjet vështirësish të shumta hapi 64 shkolla. Ajo e Lezhës funksionoi më 1914. Për shkolla e shkrim shqip, këtu flitej, e diçka bëhej prej 25 vjetësh të shkuara, por hapja zyrtare e një shkolle të re me frymë kombëtare e mësues laik, shënon një hap në realizimin e aspiratave të njerëzve të përparuar. Kjo vepër lidhet me emrin e mësuesit, Kolë Martini, i cili kishte marrë arsim të mesëm në Shkodër, zotëronte një farë kulture dhe dinte disa gjuhë të huaja. Mbi të gjitha ishte patriot aktiv.

Mësimi asokohe zhvillohej në ndërtesën e ish-mejtepit turk dhe kishte rreth 40 nxënës të besimeve të ndryshme nga qyteti dhe periferia. Aty morën ushtrimet e para për shkrim dhe këndim me alfabetin e ri. Të tjerë korrigjuan alfabetin për të mësuar ose marrë dijeni më të larta, në vijim të ndonjë klase të mëparshme.
Kola kishte siguruar një bazë të mirë materiale dhe vepronte me program e orar të rregullt, 4-5 orë në ditë. Bënte përgatitje të kujdesshme dhe u njoftonte nxënësve gjëra të lidhura me jetën.

Ish-nxënësit e asaj kohe kujtojnë: Shkronjën “a” mësuesi e shpjegoi me emrin e Arbërisë e të arbërve, me luftërat e shqiptarëve për tokë e liri. Nëpërmjet mësimit u ngjallte atyre dashurinë për natyrën e bukur e të pasur. Thonë se nxënësve u kërkonte shumë, rrallë edhe i ndëshkonte. Por karakteristike kishte punën me takt dhe përdorte stimuj nxitës, gjallëronte ata shpirtërisht dhe ua bënte qejfin me vogëlsira të blera me rrogën e tij.
Në mënyrë të veçantë ndihmonte më të varfërit, Haxhi Kasemin e Zyberin e Hatës. Ditët e diela dhe ditët e fesfave i vinte nxënësit në formacion manifestimi e me flamurin kombëtar në ballë dhe këndonin pazarit këngë patriotike.

Kolë Martini, si patriot, kishte bindje të qarta politike, prandaj dhe gjendej i papërtuar mes lezhjanëve, duke biseduar për shqetësimet e mëdha të kohës. Dhe fjala i dëgjohej. Familja e tij kishte luftuar për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Disa vetë i qenë vrarë nga fisi e të afërmit, disa herë qe shpërngulur dhe po kaq here ia dogjën shtëpinë. Në luftë iu vra edhe i ati. Dokumentet tregojnë se tre vjet më vonë, Kolë Martini që tani banonte në Dedaj, i drejtonte një letër drejtorit të përgjithshëm të arsimit, Luigj Gurakuqit përmes së cilës ai i kërkonte të hapte një shkollë për malësorët e Shkrelit.

Gurakuqi e aprovon kërkesën dhe mësuesi e fillon mësimin në ish-ndërtesën e mejtepit turk të Zagorës me fëmijë e të rinj nga fshatrat përreth. Vështirësitë që krijoi operacioni austro-hungarez, bënë që shkolla të funksionojë me mungesa. Kishte pak tekste mësimore e mësimi bëhej me të kopjuar. Por edhe kështu malësorët mësuan shkrim e këndim dhe e përshëndetën shkollën, si të parën mësonjëtore të zonës në gjuhë amtare.

Periudhat e mësuesisë për Kolë Martinin qenë të shkurtëra, sepse i pakët qe edhe kontakti i popullit me shkollën në të kaluarën. Por ai mbetet një propagandist i dijes e kulturës për kohën e tij dhe i pari mësues laik për qytetin e Lezhës. Ky shkrim u prit si një freskim dhe dritë shprese për familjen e Kolë Martinit, së cilës sistemi i kishte vrarë të gjitha ëndrrat për të nxjerrë në dritë dhe për të dëshmuar vlerat e këtij rilindasi të madh, patrioti dhe pishtari të arsimit laik shqiptar me frymë kombëtare. Për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kolë Martinit, përkushtimin me zellë e pasion për mësimdhënien, për dijen dhe brumosien e një brezi të arsimuar, me miratimin e të gjithë komunitetit të Shkrelit dhe me vendim të Ministrit të Arsimit z. Genc Pollo Shkollës së Bashkuar të Dedajve i vëndoset emri i Mësuesit “Kolë Martini”, emër të cilin e mban prej më shumë se 10 vitesh.

Jeta dhe vepra e Kolë Martin Pllumit

Kolë Martin Pllumi ka lindur në Dedaj të Shkrelit të Malësisë së Madhe në vitin 1883 dhe ka ndërruar jetë në vitin 1964, në kohën e krizës sociale e kulturore në të cilën e fundosi vendin sistemi totalitar i Enver Hoxhës. I lindur në periudhën e Rilindjes Kombëtare, në një nga familjet më patriotike të asaj kohe në Shkrel, patjetër që do ndikonte pozitivisht edhe në brumosjen e tij me ideale të larta atdhetarie.

Në fillim të shekulli XX në harkun kohor kur kulmoi edhe lëvizje kombëtare, Kolë Martinin e gjeti të formuar jo vetëm me tiparet e një burri fisnik malësor por edhe me dije e shkollim bashkëkohor. Kulla e tij kishte rritur breza besimtarësh e përmendej për vlera dhe virtyte të larta në Shkrel e më gjërë. Qysh i vogël Kolë Martini filloi të aktivizohej me bashkëmoshatarët e tij, të shërbente në kishë pranë famullitarit, ku merrte pjesë edhe në katekizëm e mësime fetare.

Këtu nisi edhe indicja e parë për dije, çka u bie në sy edhe klerikëve të cilët më pas e ndihmojnë të marrë rrugën e dijes e të shkollimit. Një ndihmë të madhe në këtë aspekt ka dhënë edhe halla e tij Diella, e cila asokohe ishte veshur murgeshë e shërbente pranë Kishës së fretënve në Shkodër, Kolë Martin Pllumi studimet e para i kreu pranë shkollës françeskane në Shkodër me rezultate shumë të mira, nga ku i del edhe e drejta për të vazhduar më tej studimet e larta. Kështu me ndihmën e hallës së tij murgesh dhe mbështetjen kryesisht të klerikëve françeskan në Shkodër, Kol Martini vazhdon studimet universitare dhe diplomohet në Universitetin Katolik të Romës në Itali, në degën sociologjisë.

Ky formim akademik, Kolë Martinit do t’i hapte rrugë për të ushtruar profesionin e vet si mësues, e jo vetëm dhe do t’i krijonte njohje të shumta me qarqet më të larta të elitës së intelektualëve patriot, aty ku ndizej edhe vatra e frymës kombëtare. Menjëherë pas diplomimit Kolë Martini kthehet në vendlindje ku forcon lidhjet me intelektualët më të shquar të asaj kohe, ndër ta edhe Luigj Gurakuqi përkrah të cilit punoi me pushkë e penë për Rilindjen Kombëtare. Kryengritja e Malësisë së Madhe e 1911-tës vuloset edhe me gjakun e të atit Martin Gjekë Pllumi, si dhe djegjen e Kullës së këtij patrioti të flaktë, çka bëri që Kolë Martini të kthehej me banim të përhershëm në Dedaj, pasi me vdekjen e të atit dhe djegjen e kullës familja e tij mbeti në qiell të hapur e në mbikqyrjen e tre pleqve dhe vëllait djaloshar.

Me ndihmën e rrethit familjar dhe miqve të tij e rindërton banesën, martohet dhe fillon një jetë të re familjare. Gjatë kësaj kohe punon si përkthyes, kryesisht me klerikë e konsuj, pasi zotëronte mirë disa gjuhë të huaja, veçanarisht latinisht e italisht, për të cilat kishte marrë edhe dëshmi universitare. Në vitin 1914 emërohet zyrtarist si mësues laik në Leshë nga vetë ish Ministri i parë i Arsimit Shqiptar Luigj Gurakuqi, profesion të cilin e ushtron për tre vite me rrallë. Më pas emërohet si mësues në Shkodër ku bën një punë të lavdërueshme në shërbim të arsimit laik.

Për të bërë dallimin mes nxënësve laik dhe religjoz, si kriter mësimor kërkonte që nxënësit të mbanin uniformën shkollore me veshje kombëtare, si dhe futjen e një programi mësimor me frymë kombëtare. Punën si mësimdhënës e ka ushtruar edhe në Shkrel, ku me miratim të Luigj Gurakuqit ka hapur të parën shkollë laike, në një godinë pranë xhamisë së Zagorës. Mësimdhënien e ka vazhduar edhe pas pushtimit austriak, ku me miratimin e kërkesës së tij nga komanda ushtarake e Austrohungarisë, posta e së cilës gjindej në Poicë të Shkrelit nga ku vepronte për të mbajtur nën kontroll gjithë Luginen e Shkrelit, e ka miratuar duke i dhënë edhe përkrahje në mbarvajtjen e procesit mësimor, ku i ka siguruar edhe bazën e nevojshme materjale.

Në këtë shkollë kishte të regjistruar shumë fëmijë të krahinës, ndër të cilët përmenden Fran Gjek Vulaj nga Dedajt, Atë Anton Luli nga Lohja, Nikë Deda nga Zagora e shumë të tjerë, të cilët për gjatë gjithë jetës së tyre Kolë Martinin e thërrisnin vetëm “Mësues” edhe pse ishin bërë burra të shtyrë në moshë. Lëvizjet politike në vend bënë që Kolë Martini ta ndërpresë procesin e mësimdhënies e të kalojë në aktivitet politik në ndihmë të lëvizjes, ku luftoi me pushkë e me penë duke marrë pjesë edhe në Kuvendet e Malsisë dhe luftërat frontale, siç ishte LUFTA E KOPLIKUT në 1920 – 1921, ku për merita të veçanta Kolë Martini është dekoruar me medaljen e trimërisë nga Mbreti Zog me një dekret të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Kolë Martini veç në fushën e mësimdhënies ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në hartimin e programeve mësimore të përshtatura sipas lëndëve, grupmoshave dhe metodës së re të laicitetit. Gjithashtu Kolë Martini kishe siguruar një fond të pasur me libra dhe literaturë shkencore, ku kishte investuar një pjesë të mirë të pasurisë së tij.
Për fat të keq ky fond u dogj, një pjesë nga pushtuesit e huaj kur i dogjen Kullën e një pjesë tjetër kur i vranë djalin, Gjokën dhe familjen e tij e shpallën armik të pushtetit të Enver Hoxhës. Djegja e librave ndër to edhe diplomat, medaljet e dekoratat i shkaktoi një dhimbje shumë të madhe aq sa dhe vrasja e djalit, pasi në to kishte shkrirë një jetë të tërë për t’i siguruar e merituar.

Shumë nga ato libra apo rrelike kishin edhe vlera shpirtërore, siç ishin emërimet e punës si mësimdhënës nga Luigj Gurakuqi, për nder të të cilit i kishte vënë emrin edhe njërit prej djemve të tij. Po kaq me vlerë ishte edhe akti i lirimit nga ushtria të djalit të vrarë Gjokës, të firmosur nga vetë komandanti i tij major Dodë Nikolla nga Gruda, i cili u bë shkak edhe për këtë dorshkrim të detajuar, pasi si kushëri i afërm e bashkëkohas i gjyshit, Zef Prel Marashit ka lënë shumë gojdhëna e tregime, çka më ka nxitë të hulumtoj për jetën dhe veprën e Kolë Martinit, Rilindasit të shquar nga Shkreli ,për të cilin askush veç familjes së tij nuk e ndezi një qiri për shpirtin e tij, e nderë të kontributit jetës dhe veprës së tij të jashtëzakonsme, eshtrat e të cilit prehen në paqe në varrezat e Dedajve tek varri i të cilit pata rastin te përkulem me nderim në marsin e vitit 2022.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit