Dimitri Mendelejev, gjeniu që mrekulloi shkencën me bekimin e një nëne të shenjtëruar në qëndresë
Kultura E Diel, 7 Qershor 2026 14:58
Nga Albert Vataj
Siberia, djepi i Izolimit dhe i sprovave ngadhënjyese
Në mesin e shekullit të XIX, Tobolsku i Siberisë përfaqësonte skajin e harruar të Perandorisë Ruse, një tokë mllefi, ngricash të amshuara dhe ekzili. Pikërisht në këtë peizazh melankolik, në vitin 1834, erdhi në jetë Dmitri Ivanoviç Mendelejev, si fëmija i fundit dhe i shtatëmbëdhjeti i një familjeje që fatin do ta kishte të shënjuar nga tragjeditë e njëpasnjëshme. Babai i tij, Ivan Pavlloviç Mendelejev, një drejtor shkolle lokale, humbi shikimin pothuajse menjëherë pas lindjes së Dmitrit, duke e zhytur familjen në një krizë të thellë ekzistenciale dhe ekonomike.
Kur drita e syve të të atit u shua, barra e një shtëpie të tërë randoi mbi supet e njërës prej grave më të jashtëzakonshme të asaj epoke, Maria Dmitrievna Mendeleeva. Me një vullnet prej çeliku, ajo nuk u dorëzua. Maria mori në menaxhim një fabrikë të vjetër, të lënë pas dore, për prodhimin e qelqit, që i përkiste familjes së saj. Për vite me radhë, mes tymit, nxehtësisë së furrave dhe varfërisë siberiane, ajo udhëhoqi këtë biznes të vogël jo thjesht për të mbijetuar, por me një qëllim më të lartë, të financonte arsimimin e djalit të saj më të vogël, tek i cili pikaste një shkëndijë të rrallë intelekti.
Megjithatë, fati kishte rezervuar një tjetër goditje shkatërruese. Babai vdiq, dhe pak kohë më pas, një zjarr i tmerrshëm e ktheu fabrikën e qelqit në shkrumb e hi. Brenda pak orësh, Maria humbi statusin, mjetet e jetesës dhe sigurinë. Por në mbetjet e djegura të asaj fabrike, ajo refuzoi të varroste të ardhmen e Dmitrit.
Në vitin 1850, e gjendur në prag të rrënimit fizik nga tuberkulozi dhe pa asnjë shtëpi ku të futej, Maria Dmitrievna mori një vendim që kapërcen kufijtë e rëndomte të dashurisë amtare. Ajo paketoi pakëz plaçka, mori Dmitrin adoleshent për dore dhe u nis drejt Perëndimit.
Qëllimi i saj ishte i prerë, Universiteti.
Ata përshkuan mbi pesë mijë kilometra nëpër stepat e ngrira të Siberisë, duke udhëtuar me karroca kuajsh, herë pas herë në këmbë, e herë duke kaluar lumenj të rrëmbyeshëm. Ky nuk ishte thjesht një udhëtim gjeografik, ishte një garë kundër kohës dhe vdekjes që po i afrohej Marisë dita-ditës. Çdo kollë me gjak në dëborën siberiane dëshmonte se jetëdhënia e saj po shterohej, por vullneti mbetej i paprekur.
Kur mbërritën në Moskë, qyteti i madh e priti me ftohtësi burokratike. Për shkak të origjinës nga provincat siberiane dhe politikave strikte të rretheve shkollore, Universiteti i Moskës refuzoi ta pranonte Dmitrin. Shumëkush do të shihte në këtë refuzim fundin e rrugës. Por Maria, me mushkëritë që po i dështonin, nuk u ndal. Ajo e mori djalin dhe vazhdoi marshimin e saj drejt veriut, drejt Shën Petersburgut, kryeqytetit kulturor të perandorisë.
Aty, pas shumë përpjekjeve dhe falë miqësive të vjetra të të atit, Dmitri arriti të regjistrohej në Institutin Kryesor Pedagogjik. Maria e kishte përmbushur premtimin e saj ndaj universit. Vetëm pak javë pasi e pa të birin të ulej në bankat e shkollës së lartë, trupi i saj i dërmuar dorëzoi shpirtin. Dmitri mbeti jetim në moshën 16-vjeçare, i vetëm midis mureve prej guri të Shën Petersburgut, por me një trashëgimi të pashlyeshme, amanetin e një nëne që kishte shkrirë veten që ai të ndriçonte.
Mendjelejevi nuk e tradhtoi kurrë atë sakrificë. Ai u shndërrua në një student të pangopur dhe më pas në një pedagog e kërkues brilant. Në mesin e shekullit të XIX, kimia po përjetonte një epokë konfuzioni të madh. Shkencëtarët kishin zbuluar rreth 63 elemente kimike, por ato ekzistonin si fakte të izoluara, pa një fill lidhës. Shkenca e substancave ngjante me një fjalor ku fjalët ishin shpërndarë pa asnjë rend alfabetik apo logjik.
Mendelejevi ishte i bindur se natyra nuk bënte hapa kaotikë, ai besonte se pas diversitetit të lëndës fshihej një harmoni kozmike. Për vite me radhë, ai kërkoi modelin e fshehur. Sipas anekdotave të kohës, ai krijoi një lloj karte bixhozi për secilin prej 63 elementeve, ku shënonte peshën atomike dhe vetitë kryesore kimike. Ai i zhvendoste këto karta mbi tryezën e tij vazhdimisht, duke luajtur një “solitar” shkencor, në kërkim të një rregulli.
Më 17 shkurt 1869, sipas kalendarit të vjetër, pas një pune rraskapitëse treditore pa gjumë, Mendelejevi ra në një gjumë të thellë letargjik. Dhe aty, në errësirën e pavetëdijes, ndodhi mrekullia. Siç do të shkruante ai vetë më vonë:
“Pashë në ëndërr një tabelë ku të gjitha elementet binin në vendin e duhur ashtu siç duhej. Kur u zgjova, menjëherë e shkrova atë në një copë letër.”
Ajo që Mendelejevi prezantoi përpara Shoqatës Kimike Ruse nuk ishte thjesht një listë e rregulluar, por Ligji Periodik. Ai zbuloi se kur elementet renditen sipas rritjes së peshës atomike, vetitë e tyre fizike dhe kimike përsëriten në mënyrë periodike (ciklike).
Por madhështia e vërtetë e Mendelejevit dhe ajo që e ndan gjeninë nga një klasifikues i thjeshtë, qëndron te guximi i tij profetik. Kur vuri re se disa elemente nuk përshtateshin me vetitë e grupit ku duhej të binin sipas peshës, ai nuk e ndryshoi sistemin për ta sforcua atë. Përkundrazi, ai deklaroi se komuniteti shkencor kishte gabuar në matjen e peshave atomike të atyre elementeve, gjë që doli e vërtetë dhe bëri diçka që tronditi skepticizmin e kohës, la kutia bosh në tabelë.
Mendelejevi parashikoi me një saktësi pothuajse mistike se ato hapësira do të plotësoheshin nga elemente që njerëzimi nuk i kishte zbuluar ende. Ai i quajti ato duke përdorur parashtesat sanskrite: eka-aluminum, eka-boron dhe eka-silicon.
Shkencëtarët perëndimorë buzëqeshën me ironi ndaj këtij arroganti rus që pretendonte të diktonte ekzistencën e lëndës së pazbuluar. Por ironia zgjati pak.
Në vitin 1875, francezi Paul-Émile Lecoq de Boisbaudran zbuloi Galliumin (eka-aluminum).
Në vitin 1879, Lars Fredrik Nilson zbuloi Scandiumin (eka-boron).
Në vitin 1886, Clemens Winkler zbuloi Germaniumin (eka-silicon).
Vetitë e këtyre elementeve të reja, dendsia, pika e shkrirjes, sjellja kimike,, përputheshin me parashikimet e Mendelejevit deri në shifra dhjetore. Tabela e tij nuk ishte thjesht një mjet pasiv organizimi, ajo ishte një hartë profetike e Universit.
Sot, Tabela Periodike e Elementeve qëndron në murin e çdo laboratori, shkolle dhe institucioni kërkimor në mbarë planetin. Ajo është alfabeti me të cilin shkruhet gjithësia, nga grimca më e vogël e pluhurit e deri te yjet më të largëta. Në vitin 1955, kur shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, zbuluan elementin transuranik me numër atomik 101, ata e emëruan atë Mendelevium (Md), duke e gdhendur emrin e tij përgjithmonë mes yjeve dhe strukturës së lëndës.
Megjithatë, sa herë që shohim atë rrjetë katrorësh të rregullt, duhet të kujtojmë se pas asaj arkitekture të ftohtë shkencore fshihet zjarri i një zyre siberiane që digjet, dhe hapi i rëndë i një gruaje të sëmurë që sfidon dëborën.
Në botimin e parë të punimit të tij të madh mbi kërkimet e kimisë, Dmitri Mendelejev vendosi një dedikim prekës që shpjegon burimin e vërtetë të gjenisë së tij. Ishte një monument letar për të ëmën:
”Ky studim i kushtohet kujtimit të nënës sime nga fëmija i saj më i vogël. Ajo arriti të më korrigjonte me dashuri, më rriti me shembullin e saj, më shpëtoi duke drejtuar një fabrikë, dhe udhëtoi me mua nga Siberia vetëm për të më kushtuar shkencës. Kur po jepte shpirt, fjalët e saj të fundit ishin: ‘Evito iluzionet, këmbëngul në punë dhe kërko mbi të gjitha të vërtetën shkencore.’ Dmitri Mendelejev e mbajti mend këtë porosi.”
Maria Dmitrievna Mendeleeva nuk e njohu famën, nuk dëgjoi duartrokitjet e akademive të botës dhe nuk e pa djalin e saj të shndërrohej në Titan të shkencës. Por sa herë që një student njerëzon sytë mbi Tabelën Periodike, ai, pa e ditur, po shikon triumfin e dashurisë së asaj nëne.
KOHA JONË SONDAZH