Home Kosova Kurti optimis...

Kurti optimist për marrëveshje Kosovë-Serbi: Jemi në një fazë të re!

66
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Ai i ka bërë këto deklarata në kuadër të seminarit të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është mbajtur këtë herë në Prishtinë.

Në diskutim e sipër me pjesëmarrësit, Kurti ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrell në Bruksel ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra dialogim për marrëveshje, do të diskutojmë kornizën.

Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”.

Ai nuk ka përjashtuar edhe diskutimin e temave tjera në kuadër të dialogut, mirëpo ka insistuar që pjesë qendrore është “njohja e ndërsjellë”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit